E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kontrolli qeveritar, Ina Rama replika me Avokatin e Shtetit

 

Trazhgim Sokolaj

Kryeprokurorja Ina Rama dhe Avokati i Shtetit Eduard Halimi patën dje një debat mes tyre në sytë e përfaqësuesve ndërkombëtare në një takim të organizuar nga misioni EURALIUS. Shkak për replikën mes Prokurores së Përgjithshme dhe Avokatit të Shtetit, kanë qenë qëndrimet e kundërta për rritjen e mundësive të kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë mbi Prokurorinë, dhe të drejtën e prokurorëve të larguar nga detyra, për të ankimuar në gjyq dekretet e Presidentit për shkarkim. Kryeprokurorja Ina Rama e konsideroi raportimin e Ministrit të Drejtësisë në Kuvend, për rezultatet e inspektimeve në Prokurori, si një politizim të panevojshëm të punës së organit të akuzës. E drejta e ministrit për të paraqitur në Kuvend raportin e kontrolleve në Prokurori, është sanksionuar tashmë në ligjin e ri të Prokurorisë, megjithatë në prani të zyrtarëve ndërkombëtarë, Ina Rama përsëriti qëndrimin e saj kundërshtues. Kritikat e Prokurores së Përgjithshme shkaktuan reagimin e Avokatit të Shtetit Eduard Halimi, i cili tha se raportimet në Kuvend janë konceptuar në ligj, si paraqitje e raportit për punën e ministrisë. Në këtë kohë ka ndërhyrë në diskutim Kryeprokurori i Apelit Shkëlqim Hajdari, i cili theksoi se në ligjin e ri për organin e akuzës, të ndryshuar në vitin 2008 me nismën e Ministrisë së Drejtësisë, është vendosur shprehimisht se Ministri i Drejtësisë paraqet raport në Kuvend për rezultatet e inspektimeve në Ministrinë e Drejtësisë, duke i dhënë Prokurorit të Përgjithshëm të drejtën e replikës. Edhe më parë, në Komisionin Parlamentar, Kryeprokurorja Ina Rama e ka kritikuar këtë pikë të ligjit, duke thënë se raportimi në Kuvend nga Ministri i Drejtësisë, për kontrollet në prokurori, rrezikon publikimin e të dhënave që mund të dëmtojnë çështjet në hetim. Shkak për vazhdimin e debatit me të njëjtët protagonistë, është bërë më pas diskutimi lidhur me procedimet disiplinore dhe shkarkimin e prokurorëve. Kryeprokurorja Ina Rama dhe Avokati i Shtetit Eduard Halimi, ish-zv/ministër i Drejtësisë, ndanë qëndrime të ndryshme lidhur me të drejtën e prokurorëve të shkarkuar për t’u ankimuar në gjykatë kundër dekreteve të Presidentit. Kreu i shtetit është ai që me dekret hedh përfundimisht firmën për shkarkimin e prokurorëve në rastet e procedimeve apo masave disiplinore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›