“Eagle Mobile”, surpriza në festën e 1-vjetorit
Kompania “Eagle Mobile” ka festuar dje njëvjetorin e pjesëmarrjes aktive në tregun shqiptar të telefonisë së lëvizshme. “Të gjithë qytetarët shqiptarë e kanë ndjerë ardhjen e ‘Eagle Mobile’ që nga 12 marsi i vitit të kaluar. Që nga mbulimi e deri te tarifat, që nga risitë teknologjike e deri te çmimet shumë të arsyeshme, ‘Eagle Mobile’ u dha përgjigje kërkesave të shoqërisë shqiptare”, theksoi dje drejtori i përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin. Ai shtoi se “Eagle” tashmë zotëron rreth 13 për qind të tregut shqiptar të telefonisë celulare me rreth 385 mijë abonentë në të gjithë vendin dhe marrin shërbime në mbi 35 dyqane të kompanisë. Kompania më e re e telefonisë celulare vazhdon të sjellë çmime dhe tarifa tërheqëse dhe të arsyeshme për abonentët shqiptarë. Sipas përfaqësuesve të kompanisë, tashmë abonentët “Eagle” mund të flasin me çmime shumë të ulëta deri në 50% me numrat ndërkombëtarë dhe kundrejt operatorëve të tjerë celularë në vend. “Eagle Mobile” ka lançuar edhe dy tarifa të reja të programit shumë të suksesshëm tarifor “Proring”, “Proring Corporate” dhe “Proring Business”, të cilat sjellin 6 oferta gjithsej. “Proring Corporate” dhe “Business” do të sjellin mundësi të reja për bizneset, kompanitë dhe korporatat, duke u dhënë atyre të drejtën e përzgjedhjes së tarifës më ekonomike për ta. Një risi e zbuluar rishtas ka qenë edhe portali i argëtimit i “Eagle Mobile”. Për herë të parë në Shqipëri një kompani celulare sjell nocionin e Shërbimeve të Vlerës së Shtuar si shërbimi i internetit, televizioni në celular, lajmet dhe padyshim një faqe tërësisht kushtuar argëtimit. Të gjithë abonentët “Eagle” mund të kenë tashmë zonën e tyre të argëtimit VAS portalin në adresën www.eaglezone.al. Ky shërbim u prezantua në ditëlindjen e parë të “Eagle Mobile”.