E Diel, 1 Nëntor 2026

Kursimet, tani bankat do sigurojnë deri në 25 mijë euro

 

Qeveria rrit pragun e garantimit të depozitave të qytetarëve në banka. Deri tani niveli që merrnin përsipër bankat të paguanin në rast falimentimi ishte shuma prej 700 mijë lekësh, ndërkohë që me hyrjen në fuqi të vendimit të ri, bankat dhe qeveria do të garantojnë deri në 25 mijë euro. “Trendi pozitiv i rritjes së kursimeve në bankat e vendit gjatë dy muajve të fundit inkurajon qeverinë, që së bashku me bankat të rrisë garancinë e plotë për kursimet deri në 25 mijë euro të qytetarëve. Me këtë projektligj, qeveria shqiptare vendos një standard evropian të garantimit të depozitave të qytetarëve. Në këtë mënyrë, qeveria merr përsipër të garantojë mbi 80 për qind të të gjitha depozitave bankare, së bashku me bankën”, theksoi kreu i qeverisë. Sipas Berishës, ky veprim i propozuar nga Ministria e Financave, është shumë i arsyeshëm dhe i drejtë, vendim që lidhet direkt me rritjen progresive të nivelit të depozitave në bankat shqiptare. Kreu i Ekzekutivit theksoi se ky vendim do të ndikojë pozitivisht edhe tek emigrantët, të cilët depozitojnë sigurimet e tyre në bankat e vendit tonë. “Vendimi është, gjithashtu, i domosdoshëm për të garantuar edhe kursimet e emigracionit shqiptar. Ky vendim është me impakt shumë pozitiv për të gjithë emigrantët, të cilët depozitojnë në bankat e Shqipërisë paratë e tyre, duke i pasur 100 për qind të sigurta në masën deri në 25 mijë euro. Edhe ndrojtjet që ata mund të kenë në vendet e tjera ku jetojnë, këtu do të kenë një strehë të sigurt, një vendosje të sigurt për paratë e tyre”, vijoi më tej kryeministri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›