E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja e trefishtë për hakmarrje, arrestohet autori

Edison Marku është arrestuar pak orë pasi ka kryer plagosjen e tre personave, me të cilët ishte konfliktuar kohë më parë

SHKODËR Policia ka identifikuar dhe prangosur autorin e plagosjes së tre të rinjve në orët e vona të së mërkurës, në lagjen “Ndoc Mazi” në Shkodër Edison Markun, 35 vjeç, banues në po këtë lagje. Sipas policisë, pas hetimeve të bëra ka rezultuar se ky shtetas është autor i plagosjes me armë zjarri, automatik, drejt një lokali privat. Të tre personat që ndodhen në spitalin e Shkodrës jashtë rrezikut për jetën. Nga veprimet e para hetimore e procedurale të kryera, rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta dhe tre të dëmtuarit nuk kanë pasur ndonjë konflikt, por kanë qenë klientë të rastësishëm të lokalit. Nga dëshmitë e siguruara mësohet se fillimisht është gjuajtur me gurë xhami i lokalit dhe më pas është qëlluar me breshëri automatiku. Shkaku i konfliktit lidhet me një ngjarje të para disa muajve, të ndodhur po në këtë lokal, kur të dyja palët janë konfliktuar me njëra-tjetrën. 35-vjeçari nuk ka lejuar që një gjë e tillë të kalonte lehtë, prandaj ka vendosur që të hakmerret ndaj tyre. Plagosja e trefishtë ka ndodhur dy ditë më parë në 22:10, në lagjen “Ndoc Mazi”, tek vendi i quajtur “Ura e Thive” në Shkodër. Burime nga policia pohojnë se në një prej lokaleve që ndodhet në katin e parë të një pallati të ri, kanë qenë duke qëndruar me njëri-tjetrin Mark Kroni, 21 vjeç, Fran Ndrecaj, 20 vjeç dhe Nikolin Lika, 18 vjeç. Autori ka qëlluar nga jashtë lokalit, duke i plagosur tre të rinjtë e më pas është larguar me shpejtësi. Kanë qenë të tjerë persona që ishin në lokal ata që u kanë dhënë ndihmën e parë, duke i transportuar në spitalin e Shkodrës tre të plagosurit. Arratia e autorit të plagosjes së trefishtë nuk ka zgjatur shuam dhe ai ka përfunduar në prangat e policisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›