E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunohej nga gruaja, nën mbrojtje 48-vjeçari

Një burrë është vënë nën mbrojtjen e policisë, pasi dhunohej nga bashkëshortja. Ndërkaq, janë dhe dy gra për të cilat, policia e kryeqytetit ka lëshuar urdhrat e mbrojtjes. Burime nga policia kanë bërë të ditur se mbrëmjen e djeshme në orën 18:00, është plotësuat kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Shefqet A., 48 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 8 klasë. Në deklaratën e dhënë para policisë, 48-vjeçari ka deklaruar se është dhunuar nga bashkëshortja Manjola D., 34 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim 8 klasë. Sipas tij, ajo ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike në mënyrë të vazhdueshme. Po dje, në orën 09:00, është plotësuar kërkesë-padia për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme për Ganimete B., 23 vjeçe, banuese në Tiranë, sepse vjehrri i saj, Ramazan B., 59 vjeç, banues në Tiranë, ka ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Pak orë më vonë, është plotësuar dhe një tjetër kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme. Kështu në orën 11:30 është marrë nën mbrojtje Vjollca M., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, me arsim 12 klasë. Ajo ka deklaruar për policinë se, bashkëshorti Hasan M., 52 vjeç, banues në Tiranë, arsim 12 klasë, ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj saj. Burime nga uniformat blu kanë bërë të ditur se për të tre rastet, dosja është dërguar menjëherë në gjykatë, ku do të merret dhe vendimi për trajtimin e mëtejshëm të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›