E Diel, 1 Nëntor 2026

"Shullazi" mbetet pa gjyqtarë, ndihmë te KLD

Sërish është shtyrë gjyqi ndaj Shullazit, pasi nuk ka gjykatës për ta gjykuar çështjen, sepse janë konsumuar të gjithë. Kështu ka lindur nevoja dhe i është kërkuar ndihmë KLD-së për dy gjyqtarë. Konsumimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Krimeve të Rënda ka bërë që disa prej çështjeve të bujshme të gjykohen nga gjyqtarë të shkallës së parë. Pas delegimit të gjyqtarëve të Gjykatës së Tiranës për të gjykuar dosjen e "Bandës së Lushnjës", Gjykata e Krimeve të Rënda ka mbetur sërish pa gjyqtarë. Bëhet fjalë për dosjen e Emiljano Shullazit dhe Ervin Ferhatit, të akuzuar për trafik të lëndëve narkotike. Gjatë seancës së parë gjyqësore, gjyqtarja e çështjes, Marslela Balili, ka bërë me dije se gjykata i është drejtuar KLD-së për delegimin e dy gjyqtarëve, për shkak të mosformimit të trupit gjyqësor. Sipas gjyqtares, të gjitha togat e zeza janë konsumuar kur procesi gjyqësor ka qenë për gjykim në këtë gjykatë. Mësohet se nga pesë gjyqtarë që përbëhet trupi gjykues, dy prej gjyqtarëve mungojnë për shkak se e kanë gjykuar dosjen një herë. Shullazi dhe Ferhati u kthyen për rigjykim nga Gjykata e Apelit, ndërkohë që Gjykata e Lartë nuk e pranoi rekursin e tyre. Shorti i ra gjyqtares Marsela Balili për ta gjykuar si çështje, mirëpo gjatë caktimit të trupës gjyqësore rezultoi se pjesa më e madhe e tyre ishin konsumuar nga dy të pandehurit. Po e njëjta gjë ka ndodhur me dy trupat e tjerë gjyqësorë, duke rezultuar se vetëm dy gjyqtarë i kanë "shpëtuar" përballjes me Shullazin e Ferhatin, për të qenë tashmë pjesë e trupës gjyqësore që do i gjykojë për së dyti. Tashmë pritet që KLD të delegojë tri gjyqtarët që do plotësojnë trupën gjyqësore, ndërkohë që përfshirja e gjyqtarëve të Shkallës së Parë të Gjykatës së Tiranës në gjykimin e këtyre çështjeve prej disa muajsh duket sikur i ka shkrirë në një dy gjykatat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›