Largohet nga detyra kryeprokurori i Durrësit
Prokurorja e Përgjithshme e Shqipërisë, Ina Rama, pranoi dje dorëheqjen nga detyra të kryeprokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, denoncuar vitin që shkoi për fshehje pasurie nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë. Kreu i Prokurorisë së Durrësit, Arjan Ndoja, dha dorëheqjen së bashku me dy zëvendësit e tij, Drini Pali dhe Elena Bakëllbashi. Në shkresën për dorëheqje shkruhej: "Japim dorëheqje në mënyrë unanime për çështje formimi dhe dinjiteti profesional për probleme parimore që bien ndesh me ndërtimin dhe funksionimin e shtetit të së drejtës. Gjatë kësaj kohe kemi përballur punë voluminoze dhe respektim të kodit etikës. Kemi kontribuar në rritjen e pavarësisë së prokurorit në vendimmarrje dhe individualizimin e përgjegjësive dhe meritokracisë së prokurorëve të çështjes, zvprokurorëve dhe prokurorit të rretheve, për të bërë të mundur vlerësimin sa më të saktë të punës së secilit. Për ruajtjen e figurës së pastër të prokurorit nga pikëpamja morale dhe profesionale, si dhe të përballimit të volumit të punës. Pas rikthimit të Arian Ndojës në krye të Prokurorisë së Durrësit, në këta katër muajt e fundit janë përfunduar mbi 1100 dosje. Shifër rekord që nuk e ka kapur asnjë prokuror". Mësohet se tre prokurorët do të jenë prokurorë të thjeshtë në këtë prokurori. Ky është një nga prokurorët që ka dhënë dorëheqje nga grupi i hetimit për tragjedinë e Gërdecit, menjëherë pas ngritjes së grupit të punës. Vitin e kaluar, kryeprokurori i sapodorëhequr u pezullua nga detyra për dy muaj, për shkak se u denoncua në Prokurorinë e Tiranës për fshehje pasurie. Një hetim i ILDKP-së verifikoi se Arjan Ndoja, pasi u emërua prokuror në Durrës në fund të vitit 2007, nuk justifikonte në pasurinë e tij një shumë prej 84 mijë eurosh. Ai kishte qenë prokuror i thjeshtë në Durrës deri në vitet 2004-2005, kur u shkarkua me urdhër të ish-kryeprokurorit Theodhori Sollaku, pas shkeljeve të gjetura në hetimin e dosjes së skandalit të Bisht-Pallës. Më tej, Arjan Ndoja ushtroi profesionin e avokatit deri në fund të vitit 2007, kur u emërua prokuror drejtues në Prokurorinë e Durrësit. Në këtë kohë, duke qenë se ai iu kthye një posti shtetëror, Inspektorati i Pasurive filloi hetimin, duke zbuluar se Ndoja kishte në pronësi të paktën dy makina, tre lokale dhe tri apartamente, ndërsa nuk justifikonte 84 mijë euro në pasurinë e tij, për të cilën burimi ishte i panjohur. Dosja u dërgua në Prokurorinë e Tiranës, por kjo e fundit i mbylli hetimet. Inspektorati ankimoi në gjykatë vendimin e prokurorisë për mosfillimin e hetimeve, ndërsa Arjan Ndoja u rikthye nga pezullimi në detyrën e drejtuesit të Prokurorisë së Durrësit prej nga është larguar ditën e djeshme.