E Diel, 1 Nëntor 2026

Fatmir Mediu i pandehur, Prokuroria i komunikon sot akuzën



Prokuroria e Përgjithshme ngre sot zyrtarisht akuzën “shpërdorim detyre” për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Tashmë, kur ka mbetur vetëm një muaj nga 1-vjetori i tragjedisë së Gërdecit, Fatmir Mediut, Luan Hoxhës, Shpëtim Spahiut dhe 14 personave të tjerë, ushtarakë apo zyrtarë në Ministrinë e Mbrojtjes, pritet që sot t’u komunikohet akuza nga grupi hetimor që po heton tragjedinë e Gërdecit dhe të marrin statusin e të pandehurit. Fakti konfirmohet nga burime zyrtare në organin qendror të akuzës, të cilat bëjnë të ditur se ditën e sotme do të njihen me akuzat secili nga ish-krerët e institucionit të mbrojtjes, që nga ish-ministri, deri tek ushtaraku me gradën më të ulët që është përfshirë në këtë ngjarje. Madje, një fakt i tillë konfirmohet edhe nga mbrojtësi ligjor i z. Mediu, të cilit sot Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur t’i komunikojë akuzën zyrtare. Përveç tij, me akuzën do të njihen edhe ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Luan Hoxha, ish-komandanti i Komandës së Bashkuar, Shpëtim Spahiu, ish-drejtori i Logjistikës, Dashnor Caushi, ish-sekretari i Përgjithshëm, Sokol Gjeci, si dhe disa zyrtarëve të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtarakëve të përfshirë në këtë ngjarje. Nga burimet zyrtare mësohet se akuza e shpërdorimit të detyrës, është akuza që ngrihet për Fatmir Mediun, në lidhje me ngjarjen e 15 marsit 2008, ku nga shpërthimi i municioneve në një zonë të banuar në Gërdec, gjetën vdekjen 26 persona, 300 të tjerë u plagosën dhe u shkaktuan dëme në vlerën 18 milionë euro. Burimet e mësipërme konfirmuan gjithashtu se akuza zyrtare janë ngritur edhe për 16 persona të tjerë. Burimet konfirmuan se Prokuroria e Përgjithshme do të dalë paraditen e sotme me një deklaratë për media, ku do të shpallë publikisht ngritjen e akuzave për Mediun dhe 16 personat e tjerë, kryesisht zyrtarë të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes. Mësohet se të gjithë këta persona pritet që të merren në pyetje sot në cilësinë e të pandehurit, nga ana e grupit hetimor. Prokuroria ua ka dërguar dje fletëthirrjen, ndërsa paraqitja e tyre mban datën e sotme. Për këtë tragjedi deri më sot janë marrë të pandehur tre persona, Ylli Pinari, Mihal Delijorgji, si dhe Dritan Minxholli. Ata akuzohen nga prokuroria për veprat penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese të më shumë se dy personave”, “rrezikshmërisë së jetës së më shumë se dy personave dhe rrezikshmërisë së jetës së shumë personave të tjerë”, vepra penale këto të kryera në bashkëpunim. Ndërkohë që prokuroria ka ngritur akuzën e “shpërdorimit të detyrës” për ish-drejtorin e MEICO-s, Ylli Pinarin. Ndërkohë që ish-drejtori i Logjistikës, Dashnor Çaushi dhe ish-sekretari i Përgjithshëm, Sokol Gjeci, të cilët sot pritet të njihen me akuzën e tyre, prej më shumë se 8 muaj kanë qenë nën hetim nga prokuroria për këtë tragjedi. Këta të fundit janë marrë disa herë në pyetje, ku edhe kanë dhënë shpjegime, këto të ballafaquara me dokumentet që kanë mbajtur gjatë kohës që kanë ushtruar funksionet e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›