E Shtunë, 31 Tetor 2026

Withers: Organet e pavarura të drejtësisë, në frontin e luftës antikorrupsion



Dy ditë pas atentatit ndaj njërit prej anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe një ditë pas reagimit të ashpër nga ana e kësaj gjykate për këtë ngjarje të rëndë ndaj sistemit të drejtësisë, ambasadori i SHBA-ve, John L. Withers II, ka patur një takim me kryetaren Shpresa Becaj. Qëllimi i takimit ishte prezantimi i ambasadorit Withers II me kryetaren e re të Gjykatës së Lartë, si dhe ngjarja e rëndë e dy ditëve më parë, ku mbeti i plagosur një prej anëtarëve të kësaj gjykate. Lidhur me plagosjen e gjyqtarit Ardian Nuni, ambasadori amerikan shprehu shqetësimin e tij personal lidhur me këtë atentat dhe theksoi se “agjencitë ligj-zbatuese do të bëjnë më së miri punën e tyre në kuadër të zbulimit dhe vënies përpara drejtësisë të autorëve të ngjarjes”. Në këtë kuadër është zhvilluar më tej biseda mes ambasadorit dhe kryetares së Gjykatës së Lartë, ku kjo e fundit është shprehur se “sistemi i drejtësisë në Shqipëri përbëhet nga gjyqtarë shumë profesionistë dhe me integritet të lartë, të cilët janë të përkushtuar në zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve”. Z. Withers gjatë takimit të përbashkët u shpreh i bindur se organet e pavarura të drejtësisë duhet të jenë në frontin e luftës antikorrupsion, në respekt absolut ndaj parimeve demokratike. Sipas ambasadorit Withers, i cili ndau të njëjtin mendim me kryetaren e Gjykatës së Lartë, sistemi gjyqësor në një vend demokratik është një nga hallkat më të rëndësishme me një vlerë të pazëvendësueshme. Ambasadori Withers gjatë bisedës u shpreh se jo vetëm ai, por edhe vendi i tij, do të jenë gjithmonë të gatshëm për të bashkëpunuar me një drejtësi të pavarur, për të bërë të mundur funksionimin sa më të mirë të shtetit ligjor. Gjatë këtij takimi, edhe vetë kryetarja e Gjykatës së Lartë ka vlerësuar ndihmën e vazhdueshme që qeveria amerikane i ka dhënë dhe vazhdon t'i japë sistemit të drejtësisë dhe gjyqësorit në vendin tonë, me anë të organizmave të ndryshme që operojnë në Shqipëri në këtë fushë, në kuadër të arritjes drejt një drejtësie sa më bashkëkohore. Ambasadori Withers, pasi e përgëzoi dhe uroi kryetaren e Gjykatës së Lartë për detyrën e re, u shpreh i sigurt se znj. Becaj do ta kryejë më së miri detyrën e saj shumë të rëndësishme në krye të Gjykatës së Lartë, duke vlerësuar gjithashtu dhe background-in profesional të saj.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›