E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rikthehet për gjykim vrasja e Mirit të Xhikes



Vrasja e Mirit të Xhikes do të rigjykohet sërish. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, e cila ka vendosur që kjo çështje të kalojë për gjykim në Gjykatën e Tiranës, pasi nuk është më kompetencë e tyre gjykimi i të pandehurit Lavdërim Tufa. Madje, sipas burimeve, kjo është konsideruar nga trupa gjyqësore si një prej shkeljeve të shumta procedurale që janë gjetur gjatë gjykimit të kësaj çështjeje. I arrestuar për vrasjen e bujshme në Lundër, pak kilometra larg kryeqytetit, ku mbeti i vrarë Fatmir Rama apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe Kristaq Cami, Apeli i Krimeve të Rënda vendos katër vite pas dënimit me “burgim të përjetshëm” të Tufës, ta rikthejë çështjen për rigjykim, por kësaj radhe në Gjykatën e Tiranës. Shkak, sipas arsyetimit të vendimit të trupës gjyqësore për dhënien e këtij vendimi, kanë qenë shkelje të shumta procedurale, mes të cilave më kryesorja, moskompetenca. Sipas kësaj trupe gjykuese, i pandehuri Tufa nuk duhet të ishte gjykuar nga Krimet e Rënda, por nga gjykata e kryeqytetit. Tashmë, sërish pritet të nisë një debat i ashpër për një qime floku në maskën e gjetur në vendngjarje, ajo që dënoi me burgim përjetë Tufën, si një nga autorët e krimit të trefishtë. Në të njëjtën kohë pritet që ky gjyq të jetë sërish i stërgjatur, me paraqitje provash, dëshmish dhe ADN-në e kontestuar prej mbrojtjes për qimen e flokut. Vrasja e Fatmir Ramës (Mirit të Xhikes) ndodhi më 29 mars 2002, gjatë një ndeshjeje futbolli në kohën që ai ndodhej tek “Kartodromi 2000”, pronë e tij, së bashku me shokët e tij, duke ndjekur një ndeshje futbolli. Nga ana e policisë, por edhe e prokurorit të çështjes u fol për dy ekzekutorë, ndërkohë që njëri prej tyre mbeti edhe sot i pazbuluar, ndërsa personi i dytë i akuzuar, Lavdërim Tufa. Por, përgjatë procesit hetimor e gjyqësor, por edhe shpalljes së vendimit, Tufa dhe familjarët e tij kanë pretenduar pafajësinë.

Vrasja dhe vendimet

Vrasja e Fatmir Ramës ka ndodhur më 29 mars, rreth orës 19:50, brenda lokalit të "Kartodromit 2000", ku ai shikonte ndeshjen Shqipëri-Rusi. Në atë moment, Miri i Xhikes ka qenë në shoqërinë e Ylli Kelmendit, Flamur Rrapajt, Kristaq Camit e Julian Durishtit. Dy persona të maskuar qëlluan me breshëri kallashnikovi, duke zbrazur mbi ta 60 gëzhoja dhe më pas u larguan. Policia arrestoi më 26 nëntor të 2004-s Lavdërim Tufën nga Lundra. Gjetja e njollave të gjakut në disa vende, rruga që kishin përshkuar tregonte se e njihnin mirë zonën dhe rrugicat për t’u fshehur nga ndjekja prej policisë, zbuluan Lavdërim Tufën. Procesi gjyqësor nxori të papriturat e tjera. ADN-ja e Tufës u bë në Itali e më pas u konfirmua edhe nga specialistët më të mirë anglezë. Por, sërish avokati i Lavdërim Tufës, Ferdinand Ndoja dhe më pas Basri Mana patën reagime gjatë procesit, duke kundërshtuar me forcë rezultatin mbi përputhshmërinë. Për gati një vit, gjyqi në Shkallën e Parë të Krimeve të Rënda u shty pasi i pandehuri dhe avokati nuk paraqiteshin. Vendimi pas Shkallës së Parë mbeti në fuqi edhe në Apel. Në shtator të vitit 2006 u dha vendimi në Shkallën e Parë. Disa muaj më vonë u dha në Shkallën e Dytë. Ndërkohë që Lavdërim Tufa, i cili vuan dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e shumëpërfolur të Fatmir Ramës, i thirrur ndryshe Miri i Xhikes, kërkon pafajësi. Dhe kjo mundësi për të paraqitur sërish provat iu dha duke kthyer çështjen për rigjykim në Gjykatën e Tiranës, e shpallur si kompetente për të gjykuar këtë vrasje të bujshme.

Provat

ADN-ja e njollave të gjakut, të gjetura në kapuçin ngjyrë blu të markës "Diadora" dhe e kryer në Institutin e Policisë Shkencore në Romë, ka përcaktuar qartë përputhshmërinë e personave të ekzaminuar. Këtë e pohoi gjykata, kur deklaroi se prova e vetme dhe kryesore për vërtetimin e Lavdërim Tufës, si autor i mundshëm i vrasjes është ADN-ja. ADN-ja është bërë më 5 mars 2004. Në Itali, përveç kapuçit me njolla gjaku dhe një qime floku, që ka dalë e papërshtatshme për ekzaminim, janë dërguar edhe kampionet e gjakut të Lavdërim Tufës dhe të shtetasit Shkëlzen Xixi, i dyshuari i parë. ADN-ja përcaktoi se Shkëlzen Xixi nuk ishte i përputhshëm. Ndërsa, pas krahasimit të Lavdërim Tufës doli se përputhshmëria e tij arrinte mbi 90%. Për të bërë krahasimin e njollave të gjakut i është marrë gjak të pandehurit Tufa, me dëshirën e tij. Gjaku i është marrë në datë 27 tetor 2003. Ndërkohë që në datë 5 mars 2004 rezulton se njollat e gjakut dhe pështyma në kapuç i përkasin Lavdërim Tufës.

ADN-ja, ekspertiza

Prova e ADN-së e bërë në Itali me mostrat e marra në kapuçin, armën dhe krehërin e gjetur pas vrasjes së Fatmir Ramës (Miri i Xhikes), më 29 mars 2003, tek "Kartodromi" ka nxjerrë përfundimisht si autor të krimit Lavdërim Tufën. Përveçse materialet erdhën nga Italia me letër-porosi, mbi vërtetësinë e tyre foli në seancë gjyqësore edhe ekspertja, specialistja për këtë fushë, Mimoza Haxhihyseni. Ekspertja ka qenë në Itali dhe ka asistuar gjatë përgatitjes së mostrave për materialet e maskës, armës dhe njollat e gjakut. Të gjitha materialet kanë qenë të të njëjtit person. Bëhet fjalë për njollat e gjakut, që mbajnë emrin e Lavdërim Tufës. Specialistja, e cila ka shoqëruar gjithë operacionin e kryerjes së ADN-së sipas gjykatës, tha se janë bërë dy prova me materialet e përgatitura. Në provën e parë rezultoi se elementët gjenetikë kanë qenë të të njëjtit person. Po kështu, në provën e dytë ka rezultuar se ka pasur 14 elementë gjenetikë të njëjtë me ato të Lavdërim Tufës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›