Akuzat ndaj Ramës tashmë janë legjitime
Mentor Beqa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk do të udhëheqë listën e kandidatëve të partisë së tij, ashtu siç pritej, duke arsyetuar motivin se ka të lidhur tashmë një kontratë me qytetarët e Tiranës dhe nuk mund ta ndërpresë atë, por duke krijuar njëkohësisht një terren të minuar rreth tij, i cili me sa duket, do të përdoret ashpër nga pala kundërshtare. Arsyetimi se kontrata me qytetarët e Tiranës nuk e lejon atë të jetë kandidat për deputet, nuk është e qëndrueshme, pasi po vetë Rama është shprehur se në rast fitoreje, ai do të largohet nga kryetar bashkie, çka do të thotë se ai kontratën do ta ndërpresë gjithsesi dhe pak rëndësi ka nëse kjo ndodh një muaj më parë apo një muaj më pas. Analiza e fakteve të çon jo tek një veprim moralisht korrekt, por tek një përllogaritje pragmatike e terrenit politik para dhe pas zgjedhjeve. Pavarësisht dukjes se Rama ka luajtur për gjithçka ose për asgjë, hezitimi për të lënë Bashkinë e Tiranës, tregon se Rama e ndien veten politikisht ende të ri për të braktisur skenën politike dhe bashkia natyrshëm është një çengel që të mban fort në terrenin politiko-klientelist të formësuar me kontributin e çmuar të zotit Rama.
Ky nuk është ndonjë fakt i ri, i cili mund ta dëmtojë në garë Edi Ramën, por perceptimi që krijon në opinionin publik kjo lëvizje e Ramës mund të rezultojë dramatik, veçanërisht në zgjedhësit ruralë, të cilët perceptimin publik e formëzojnë nga një sistem fare i thjeshtë analitik. Pasiguria e shfaqur me anë të kësaj lëvizjeje mund të përhapet me rrathë koncentrikë në të gjithë terrenin elektoral, duke rritur pasigurinë e elektoratit të Ramës dhe ky soj dekurajimi, i shfrytëzuar fort edhe nga kundërshtarët politikë do të nxiste trendin zbritës të opozitës. Pa dyshim që kjo do të jetë menduar nga ana e kryebashkiakut, i cili ka bërë një zgjedhje pragmatikisht të drejtë, për t’u mbajtur me çdo kusht e me çdo metodë në politikë, edhe në rast të humbjes së zgjedhjeve. Ky mendim utilitarist i zotit Rama bie ndesh me kërkesat e elektoratit të majtë, i cili do ta shohë veten me domosdo në pushtet në katër vitet e ardhshme dhe kjo do të jetë një sprovë e madhe menaxhimi për Ramën. Sulmet nuk do t’i vijnë vetëm nga mazhoranca, por edhe nga vetë kundërshtarët e tij brenda së majtës, të cilët mezi presin momente pasigurie nga ana e tij, për të shfrytëzuar maksimumin e asaj që mund të merret në këtë rast.
Përpos këtij disfavori që krijon në elektorat, lëvizja e Ramës i jep një monedhë të çmuar në dorë mazhorancës, e cila do të përpiqet ta përdorë fort gjatë fushatës elektorale. Akuzat e saj për korrupsion, klientelizëm e abuzivitet kundër Ramës, nukse kanë zënë shumë vend tek votuesit e Tiranës, të cilët e kanë votuar për disa mandate radhazi Ramën. Mazhoranca është përpjekur të formulojë akuza nga më të ndryshmet të bazuara në fakte konkrete, por nuk mund të thuhet se ato kanë ngjitur siç duhet tek zgjedhësit e Tiranës, të cilët në dukje janë indiferentë ndaj akuzave të tilla. Edi Rama me anë të moslëshimit të Bashkisë së Tiranës ka kontribuar më shumë se të gjitha akuzat e mazhorancës për të bindur opinionin publik se në njëfarë mënyre akuzat janë të vërteta. Braktisja e kryesimit të listës për të ruajtur me çdo kusht postin e kryebashkiakut i fton qytetarët të mendojnë se ai post për zotin Rama është shansi i mbijetesës politike dhe kjo realizohet me anë të flirteve financiare me grupe të cilat kanë mundësuar krijimin e imazhit të Ramës dhe ruajtjen e tij të pagërvishtur nga akuzat e kundërshtarëve. Hezitimi për ta lënë këtë post konfirmon vetvetiu akuzat e kundërshtarëve politikë të zotit Rama. Kjo lëvizje ka prodhuar pra dy gabime të mëdha, të cilat mund t’i shkaktojnë humbjen e zgjedhjeve kryesocialistit, si dekurajimi i elektoratit të majtë dhe të pavendosur dhe konfirmimi i akuzave të kundërshtarëve të tij se Rama nuk mbijeton politikisht pa Bashkinë e Tiranës. Por, çdo e keqe bashkëshoqërohet me një të mirë nga prapa, kjo lëvizje do ta mbajë në politikë Edi Ramën edhe në rast të humbjes së zgjedhjeve.