E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunohen tre policë nga 27-vjeçari, hynë për të ndarë sherrin mes të rinjve



GJIROKASTËR – Tre punonjës policie kanë ndërhyrë për të shuar sherrin mes disa të rinjve, por 28-vjeçari ka ushtruar dhunë ndaj tyre, gjë që ka sjellë arrestimin e tij. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bëjnë të ditur se mbrëmjen e së mërkurës, rreth orës 22:00, nga ana e specialistëve për Parandalimin e krimit në Komisariatin e Policisë Gjirokastër është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit, E. Shtëmbari, banues në Gjirokastër”. Sipas tyre, “arrestimi i tij u bë për arsye se në orët e natës, në një lokal në qendër të lagjes “18 Shtatori” në qytetin jugor, ky shtetas ka kundërshtuar me dhunë, goditur dhe fyer për shkak të detyrës 3 oficerë policie, të cilët kanë ndërhyrë për të shuar një konflikt të shkaktuar nga ky shtetas me disa të tjerë”.
Këta oficerë, në momentin e sherrit, kanë qenë shumë afër dhe kanë ndërhyrë për të zgjidhur konfliktin, por shtetasi i lartpërmendur, në momentin kur do ta shoqëronin për në ambientet e Komisariatit të Policisë, ka kundërshtuar, goditur e fyer oficerët e policisë. Ndodhur në këto kushte, oficerët e policisë kanë bërë shoqërimin e tij forcërisht në mjediset e Komisariatit të Policisë Gjirokastër ku më pas është bërë arrestimi i tij në flagrancë për veprën penale “kundërshtim i punonjësit të policisë” dhe “goditje për shkak të detyrës”. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut, Gentian Mullai, thotë se materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprime të mëtejshme.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›