E Diel, 1 Nëntor 2026

Rritja e tarifave në spitale, nxitje për sigurimet shëndetësore



Emanuela Sako

Vendosja e tarifave të reja në çdo spital apo poliklinikë dhe veçanërisht ndryshimi i tyre, janë një detyrim që pacientët të sigurohen. Sigurimet shëndetësore do të mundësonin ecurinë e reformës që MSH-ja ka nisur në spitalet e vendit, ku do të rritej niveli i të ardhurave për spitalet dhe ulja e kostos së vizitave për pacientët. Po të shohësh tarifat e afishuara në spitalet, duket qartë se një pjesë e tyre kanë shënuar rritje, si dhe këmbëngulja e MSH-së për të zbatuar sistemin e referimit është një nxitje për sigurimin shëndetësore të pacientëve. Për një pjesë të qytetarëve që nuk janë të siguruar në punë ose nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, problemi mbetet që ata duhet t’i paguajnë kontributet në mënyrë vullnetare. Kjo është një situatë që i step një kategori të caktuar qytetarësh për të mos kryer pagesën.
Situata
Sipas tarifave të reja qytetarët që nuk janë të siguruar dhe nuk paraqesin librezën shëndetësore në spitalet, ku duan të vizitohen do të paguajnë koston reale të vizitave. Përkatësisht kostot për vizitë, për të pasiguruarit janë 6 mijë lekë në poliklinikë dhe 2 mijë lekë në spitalet e nivelit terciar si QSUT-ja. Nëse ata do të jenë të siguruar tarifat për vizitë kryhen falas ose në disa raste të diagnozave të veçanta përgjysmohen. Prandaj MSH-ja këmbëngul për zbatimin e sistemit të referimit, që pacientët që nuk kanë rekomandimin e mjekut të lagjes nuk mund të vizitohen në spitale të nivelit terciar. Sipas informacioneve të marra nga QSUT-ja, Maternitetet dhe spitale të tjera qendrore, bëjnë të ditur se nuk pranojnë më vizita pa pasur rekomandimin e mjekut të lagjes, që e drejton pacientin të kryejë një vizitë në këtë spital. Sipas këtij rregulli, pacientët duhet të ndjekin sistemin e referimit, që do të thotë që çdo pacient duhet të kryejë një vizitë fillestare tek mjeku i lagjes, pastaj duhet të shkojë në poliklinikë dhe më pas me rekomandimin e mjekëve përkatës duhet të drejtohet në spitalet e mëdha.
Sigurimi vullnetar
Qytetarët që nuk përballojnë kostot e vizitave në spitale mund të vetsigurohen nëpërmjet sigurimit vullnetar. Sigurimi vullnetar ka të bëjë me ata njerëz që janë të vetëpunësuar në qytet ose në fshat, që vetsigurohen dhe duan të përfitojnë shërbime të njëjta me të siguruarit. Në këtë rast personi mund të paraqitet vullnetarisht për të përfituar këto shërbime, duke bërë pagesën përkatëse pranë drejtorive rajonale të sigurimeve shëndetësore. Pas kryerjes së këtyre procedurave, i siguruari mund të përfitojë shërbimet që ofron skema. Që personi i siguruar, në mënyrë vullnetare, të përfitojë sigurim shëndetësor, duhet fillimisht të paguajë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe për një vit. Me ndryshimin e pagës minimale do të ndryshojë dhe përqindja që duhet të paguajnë qytetarët që duan të sigurohen në mënyrë vullnetare.

Tarifat që duhet të paguhen për t’u siguruar vullnetarisht
Të gjithë të siguruarit në mënyrë vullnetare duhet të paguajnë kontributin në masën e përcaktuar për një periudhë kohe një vjeçare. Më pas pagesat bëhen si parapagim dhe për periudha jo më pak se tre muaj. Masa e kontributit është 3.4% e pagës mujore minimale të përcaktuar çdo vit me vendim të qeverisë. Qytetarët që duan të sigurohen në mënyrë vullnetare duhet të drejtohen pranë drejtorive rajonale të ISKSH-së, ku mund të marrin sqarimet përkatëse dhe të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve. Pjesë e kësaj skeme mund të bëhen kategori të caktuara të qytetarëve, si të gjitha gratë apo burrat që nuk kanë punuar asnjëherë dhe që janë në moshë pune. Po kështu, mund të përfshihen emigrantët një kategori e caktuar e studentëve etj. Kategoritë që mund të sigurohen në mënyrë vullnetare janë disa dhe të gjithë që bëjnë pjesë në këtë listë mund të aplikojnë për t’u bërë pjesë e skemës së përfitimit nga ISKSH-ja. Në këto kategori përfshihen të gjithë ata qytetarë që nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, ata që nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, ata që nuk përfitojnë të drejtën për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë. Pjesë e skemës mund të bëhen edhe ata qytetarë që ndodhen jashtë kufijve të vendit. Të tillë janë studentët shqiptarë që vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe specializimet jashtë shtetit dhe duan të përfitojnë nga skema kur ndodhen në Shqipëri. Njëkohësisht, në këtë kategori janë emigrantët shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë shtetit dhe kërkojnë të përfitojnë për periudhën kur ndodhen në Shqipëri. Mund të sigurohen vullnetarisht personat që kanë periudha shkëputje nga puna me leje, pa të drejtë page, si edhe të gjitha rastet që i vlerëson ISKSH-ja. Personi që kërkon të sigurohet vullnetarisht, në bazë të Rregullores së Sigurimit Vullnetar, lidh një akt-marrëveshje me Drejtorinë Rajonale të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor, në të cilën përcaktohet shuma e kontributit që personi duhet të paguajë, mënyra e pagesës si edhe përfitimet nga skema.

Kush mund të sigurohet vullnetarisht?

Mund të sigurohen vullnetarisht shtetasit në rastet kur:
Nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune
Nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë
Nuk përfitojnë të drejtën për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë
Janë studentë shqiptarë që vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe specializime jashtë shtetit dhe duan të përfitojnë nga skema kur ndodhen në Shqipëri
Janë emigrantë shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë shtetit për periudhën kur ndodhen në Shqipëri

Kanë periudha shkëputjeje nga puna me leje, pa të drejtë page
Si edhe të gjitha rastet që i vlerëson ISKSH-ja.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›