E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplasjet në Komunitetin Mysliman, shkarkohen kundërshtarët e Selim Muçës

Shkarkohet zyrtarisht Saimir Rysheku, njeriu që akuzoi Muçën për korrupsion. Debatet lindën pas shitjes së disa pronave të Komunitetit Mysliman në Tiranë

TIARNË - Furtunë në Komunitetin Mysliman. Lirohen nga detyra kundërshtarët e kryetarit të Komunitetit Mysliman dhe emërohen si këshilltarë të tij. Vala e shkarkimeve ka prekur nënkryetarin e Komunitetit Mysliman, Saimir Rysheku dhe imamin e Tiranës, Shaban Saliu. Vendimi është marrë dy ditë më parë nga Këshilli i Përgjithshëm i Komunitetit. Vendimet u bënë publike përmes një deklarate për mediat nga kryetari i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, i cili bëri të ditur se ndryshimet u hodhën në votim në bazë të statutit dhe u miratuan me shumicë votash. “Në mbledhje kaluan për miratim disa vendime të Kryesisë të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Lirimin nga detyra të nënkryetarit të Komunitetit Mysliman Saimir Rysheku dhe emërimin e tij në detyrën e këshilltarit të kryetarit dhe përgjegjës në rubrikën fetare pranë Drejtorisë së Kulturës në Komunitetin Mysliman. Emërimin e zotit Bujar Spahiu në postin e nënkryetarit të Komunitetit. Lirimin nga detyra e myftiut të Tiranës, Shaban Saliu dhe emërimin e tij këshilltar i kryetarit të Komunitetit dhe imam në xhaminë e Sahatit. Emërimi i zotit Ilir Vokshi myfti i rrethit të Tiranës”,- shpjegoi Muça.
Akuzat
Nënkryetari i Komunitetit Mysliman, Saimir Rysheku, ka hedhur akuza kundër kreut Selim Muça për përfshirje të dyshimtë në biznesin e shitjes së trojeve, ndërsa ky i fundit i cilësoi të pabaza akuzat kundër tij. Që në fillim të mbledhjes kryetari i Komunitetit Selim Muça dhe ish-nënkryetari Saimir Rysheku kanë shkëmbyer akuza të forta mes tyre.
Ish-nënkryetari i shkarkuar pak ditë më parë ka përsëritur akuzat për korrupsion dhe abuzime në adresë të kryetarit të Komunitetit, Selim Muça.
Ndërkohë, shkarkimi është hedhur në votim dhe është miratuar nga shumica e anëtarëve.
Më tej në mbledhje është votuar edhe shkarkimi i katër anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme të Komunitetit Mysliman. Saimir Rysheku, nënkryetari i shkarkuar i Komunitetit Mysliman Shqiptar, “sulmoi” pak ditë më parë nëpërmjet një konference për shtyp kreun e këtij institucioni, si shkaktar të kaosit dhe problemeve të shumta që po kalon KMSH. Duke argumentuar se sipas statutit të këtij institucioni, shkarkimi i tij mund të kryhej vetëm nga Këshilli i Përgjithshëm Drejtues i KMSH-së.
Deklarata
“Më lejoni që përmes kësaj deklarate, të ftoj të gjithë anëtarët e Këshillit, që janë të zgjedhurit e besimtarëve, të cilët janë edhe pronarët e vërtetë të institucioneve, të ngrihen në nivelin e përgjegjësisë, morale, fetare dhe institucionale, për të ruajtur integritetin dhe personalitetin e tyre, e duke zbatuar të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në vendimmarrje”, - deklaroi Rysheku pak ditë më parë. Më tej, ai pohoi se personalisht, do të ndërmerrte çdo hap ligjor, që do të ndihmonte demokratizimin e KMSH-së, që ky institucion, të kthehet në një drejtues të vërtetë të jetës së myslimanëve, një detyrim të cilit kryetari aktual ka kohë që i është shmangur. “Në këtë kuadër, dua të bëjë të ditur, se shumë shpejt, do të depozitoj ne organet e drejtësisë kërkesëpadinë për rishikimin e statusit me të cilin kërkon të operojë inxhinier Selim Muça, i cili në momentin aktual e ka kthyer Komunitetin në pronë të kryetarit, duke e shkëputur atë nga jeta e besimtarëve dhe nga përfaqësimi i tyre”, - pohoi Rysheku. “Nuk jam sot këtu për të mbrojtur thjesht pozitën time. Pozicioni im është shumë pak i rëndësishëm përballë shkeljes që i bëhet statutit, e cila cenon rëndë mbarëvajtjen dhe funksionimin e KMSH-së si një institucion përfaqësues i myslimanëve në Republikën e Shqipërisë, si dhe parimet e shtetit të së drejtës. Dua të denoncoj në këtë rast, se shkeljet e përsëritura statutore prej disa kohësh kanë shkaktuar mos funksionimin e KMSH-së në të gjitha nivelet e përfaqësimit të tij. Me këto qëndrime Muça ka anatemuar kompetencat e Këshillit si organi më i lartë vendimmarrës, që i jep legjitimitet personalitetit juridik të KMSH-së”, - përfundoi Rysheku.

30 Tetor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›