Dhunohet në komisariat peshëngritësi
ELBASAN/ ALDI KOZARIA
Dhunohet në ambientet e policisë së Elbasanit kampioni i peshëngritjes, Gerti Trasha. Ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e së shtunës e ka bërë të ditur vetë kampioni 23-vjeçar. Ai akuzon oficerin e policisë Besmir Çepini, se e ka shoqëruar në komisariat pa asnjë arsye e çka është më e rëndë duke e goditur me grushte e shkelma. Trasha thotë se prej asaj dite nuk ka kryer asnjë ditë stërvitje, derisa të ndëshkohen përgjegjësit.
Si ndodhi që u shoqëruat në komisariatin e policisë së Elbasanit?
Të shtunën isha në shoqërinë e shokëve të mi në Elbasan, në afërsi të kryqëzimit të Cërrikut, në makinën e drejtuar nga një bashkëmoshatari im. Po ecnim krejt normal në rrugë kur papritur përballë nesh gjendet një mjet tip "Audi" me ngjyrë të zezë, e cila drejtohej nga një person civil, ndërsa në sediljen e parë të makinës ishte një femër. Fillimisht menduam se në makinën që na erdhi përballë ishte ndonjë shoku ynë, por kur drejtuesi i saj doli nga mjeti, atëherë e mësuam se nuk ishte ajo gjë që menduam.
Çfarë ndodhi më pas?
Fillimisht na u prezantua se ishte Besmir Çepini, oficer i policisë në Elbasan. Ai u afrua te mjeti ynë, duke iu drejtuar shokut tim që ishte në timon: Më njihni ju mua apo jo? Në këtë moment iu drejtova duke i kërkuar të falur për të shmangur debatin, pasi ne nuk e dinim se cili ishte ai. Por kjo nuk e zbuti bisedën të cilën e nisi oficeri i policisë, madje vazhdoi edhe më tej. Njoftoi në telefon grupin e gatshëm dhe i kërkoi që të vijë me shpejtësi drejt vendit ku ndodheshim ne. Ai u kërkon që të shoqërohesha unë dhe jo drejtuesi i makinës për të cilin oficeri ishte futur në konflikt, pasi pretendonte se kishte shkelur rregullat e qarkullimit, gjë për të cilin punonjësit e policisë rrugore kur u njohën me pretendimet kishin nxjerrë se ne nuk kishim asnjë faj.
Pra ju shoqëruan në komisariat! Cila ishe arsyeja?
Më shoqëruan vetëm mua në ambientet e komisariatit të policisë. Prita afro 20 minuta deri sa në komisariat mbërriti oficeri i policisë që më kishte shoqëruar. Më pas ai erdhi bashkë me një person tjetër dhe në mënyrë krejt normale më kërkoi të shkoj me ta në drejtim të zyrës së tij. Kur shkuam të tre së bashku tek zyra e tij dhe hymë brenda ai e mbylli derën e zyrës me çelës. Në atë moment nisën të më pyesnin se kush isha unë. U tregova se isha peshëngritësi Gerti Trasha, por ata filluan të më drejtohen me tone të ashpra, duke më ofenduar rëndë. Papritur drejt meje nisën grushtet e shkelmat, kur unë nuk u kisha thënë asgjë, veçse gjenealitetet. Më pas nisën të më thoshin: "Do të të plasim në burg nga 1 vit deri në 7 vite", ndërkohë që unë nuk e dija se për çfarë isha shoqëruar në komisariat.
Për sa kohë qëndruat në zyrën e oficerëve të policisë?
Kam qëndruar për afro një orë në zyrën e tyre nën presionin e dhunshëm, shkelmat, goditjet dhe presionin psikologjik të dy oficerëve. Më kërkonin që unë të firmosja në një dokument se isha fajtor. Se për çfarë isha unë fajtor, t'ju them sinqerisht që edhe sot nuk e di se çfarë kam bërë ende. Më pas më thanë se nëse nuk firmos do të të fusim në burg dhe ne të kemi në dorë, ndaj dhe firmos këtu. I ndodhur mes grushteve, shqelmave dhe presionit të ashpër psikologjik nuk kisha rrugë tjetër, por pranova të firmosja për të mos rrezikuar më shumë, sepse goditjet dhe shkelmat mund të më drejtoheshin në vende që unë mund të humbisja karrierën sportive.
Kur u latë i lirë?
Pas rreth dy orësh më lanë të lirë, duke më kërkuar që këtë gjë të mos e diskutoja me askënd dhe nëse do ta bëja një gjë të tillë, atëherë dy oficerët më kishin në dorë, sepse unë kisha firmosur për fajësinë time. Dola nga ambientet e policisë ku më prisnin familjarët e mi, shokë dhe të tjerë miq dhe më pas shkova në shtëpi, pasi isha shumë i tronditur nga ana psikologjike.
Keni bërë kallëzim ndaj dy oficerëve?
Po, kam bërë kallëzim sot në zyrat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm ndaj dy oficerëve, të cilët më kanë dhunuar në mënyrë barbare pa pasur asnjë shkak, sikur unë të isha ndonjë vrasës apo trafikant droge. Kam kryer dhe një vizitë tek mjeku ligjor, i cili më ka rekomanduar nëntë ditë pushim për shkak të shenjave që kam në trup dhe traumës psikologjike që kam pësuar. Shefi i zyrës së SHKB-së më ka premtuar se këtë çështje do ta zbardhin sa më shpejt, sepse kjo është një ngjarje shumë e rëndë dhe e paprecedentë që kanë kryer dy oficerët e policisë, Besmir Cepini bashkë me një oficer për të cilin thuhet se nuk punon në komisariatin e policisë në Elbasan.
Pas kësaj ngjarje jeni stërvitur?
Jo, kam që nga dita e shtunë e deri në këtë moment që ne po flasim që unë nuk kam kryer stërvitje, sepse jam i tronditur shumë nga kjo ngjarje. Do ta nis atë vetëm atëherë kur të jenë ndëshkuar protagonistët e kësaj ngjarje.
Kryepolici: SHKB po heton për ngjarjen
ELBASAN - Drejtori i policisë së Elbasanit, Aleksandër Hajdari, u shpreh dje se po punohet maksimalisht për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje. Sipas tij, është kërkuar që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të hetojë mbi pretendimet e peshëngritësit Gerti Trasha, se është rrahur në ambientet e komisariatit të Policisë në Elbasan. Hajdari pohoi dje se Trasha është marrë në pyetje nga oficeri Besmir Çepini, i cili sipas tij ishte në detyrë kur ndodhi incidenti. Nga verifikimet e para për ngjarjen dhe komunikimi me vartësin e tij, kryepolici i Elbasanit u shpreh se nuk rezulton që të jetë ushtruar dhunë prej oficerit ndaj qytetarit. Megjithatë, sipas Hajdarit, vendimin e jep eksperti ligjor dhe hetimi i SHKB-së. Nëse do të rezultojë se oficeri ka ushtruar dhunë ndaj peshëngritësit Trasha, sipas drejtorit të policisë, do të merren masa të menjëhershme ndaj tij. Ende nuk ka mbërritur zyrtarisht raporti i mjekut për drejtuesit e policisë, ndonëse sipas Trashës, eksperti i ka konstatuar shenja të dukshme dhune në pjesë të ndryshme të trupit.