Rekrutët e sëmurë në spital
Fatos Mahmutaj
Rekrutët që janë dorëzuar të sëmurë në Qendrën e Stërvitjes Bazë në Bunavi të Vlorës janë përcjellë në Spitalin Ushtarak. Kreu i kësaj baze kolonel Drini Nikolla, tha dje pas publikimit të raportit të kontrollit të Avokatit të Popullit, se menjëherë pasi ishin vënë re shqetësimet shëndetësore të ushtarëve i është bërë kërkesë Shtabit të Përgjithshëm për t'i nxjerrë ata para një komisioni mjekësor. Sipas tij, kjo ka ndodhur shumë ditë më parë, madje më parë se në repart të mbërrinin për inspektim komisionarët e Avokatit të Popullit. Sipas kreut të repartit të Bunavisë, institucioni që ai drejton nuk rekruton ushtarë. "Këtu tek ne i sjellin, institucionet e mobilizimit. Ata e kanë për detyrë që t'i komisionojnë rekrutët dhe pastaj t'i sjellin këtu", pohoi ai, duke shtuar se pasi kishte hasur mjaft raste kur ushtarët nuk ishin kontrolluar nga një komision mjekësor, atëherë të detyruar reparti i Bunavisë i ka kërkuar ndihmë Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Pas kësaj me urdhër nga Shtabi në Bunavi ka mbërritur një ekip mjekësor nga Spitali Ushtarak, i cili ka komisionuar të gjithë rekrutët, ku ka nxjerrë nga 757 rekrutë 97 me probleme shëndetësore. Këta më pas janë përcjellë në Spitalin Ushtarak ku është parë nga ana e Shtabit të Përgjithshëm, nëse ishin apo jo të aftë për të vazhduar shërbimin ushtarak. Sipas Nikollës, komisionerëve të Avokatit të Popullit ua kishin pohuar shifrat vetë krerët e repartit, të cilët u kishin vënë në dispozicion të gjithë dokumentacionin. Duke pohuar se nuk ishte sukses i Avokatit të Popullit zbulimi i këtyre shifrave, por i vetë funksionarëve të repartit të Bunavisë, të cilët kishin njoftuar për gjithçka Shtabin e Përgjithshëm. Në një rekomandim të konsideruar sekret dhe të dërguar në Ministrinë e Mbrojtjes e Shtabin e Përgjithshëm, si dhe për dijeni Kryeministrit dhe Presidentit, Avokati i Popullit pohonte probleme serioze mbi mobilizimin e ushtarëve shqiptarë. Sipas institucionit të Avokatit të Popullit 60 për qind e ushtarëve shqiptarë rekrutohen ende me forcë, ndërsa askush prej tyre nuk i nënshtrohet një kontrolli mjekësor nga komisioni i posaçëm i Spitalit Ushtarak. Avokati i Popullit pohoi se kishte hasur 97 rekrutë të rinj të sëmurë në këtë bazë.
Mobilizimet, ende me forcë
Rekrutimet me forcë të ushtarëve shqiptarë nuk kanë përfunduar ende, ndërsa ushtria jonë është bërë pjesë e NATO-s. Të paktën 60 për qind e rekrutëve të rinj në Bunavi të Vlorës kanë pohuar se janë rekrutuar me forcë dhe janë dërguar në repart. Për më tepër pritet se edhe për disa kohë do vazhdojë çdo tre muaj rekrutimi i të rinjve me forcë dhe dërgimi i tyre nëpër reparte ushtarake.