E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Efektivi i policisë më mori peng e më dhunoi"

 

GJIROKASTER - Efektivi i Policisë së Gjirokastrës merr peng për tri orë dhe keqtrajton një shtetas për motive personale. Ngjarja e paprecedentë ka ndodhur dy ditë më parë, por dje organet policore të Gjirokastrës kanë filluar procedurat konkrete lidhur me zbardhjen e plotë të saj. Efektivi i policisë, Armando Gaba, mësohet se ka rrahur, prangosur dhe kërcënuar me pistoletë shtetasin Qëndrim Çela, 24 vjeç, nga fshati Krahës i Tepelenës. Ky i fundit për gazetën "Panorama" rrëfen ngjarjen e cila sipas tij ka qenë jo vetëm perverse në veprime ndaj tij, por dhe e pafalshme për një punonjës policie. Për Qëndrim Çelën veprimi i policit Gaba ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj ngjarjes së ndodhur në prill të këtij viti, në një postbllok pranë urës së Leklit. Në këtë ngjarje të dhunshme ku u përfshinë dy efektiva të policisë dhe Gardës së Republikës dhe Armando Gaba kishte si iniciator vetë Qëndrim Çelën, i cili nuk pranoi t'i kontrollohej automjeti nga Gaba që ishte në rolin e kreut të postbllokut policor. Sipas Çelës, Gaba e ka takuar dy ditë më parë, duke i kërkuar që të pinin një kafe, por përfunduan me makinën e tij në Lazarat. Por në vend të kafes ai pohon se ka përjetuar disa orë dhunimi fizik. I riu i është drejtuar menjëherë policisë së Gjirokastrës, e cila nisi hetimin bashkë me SHKB-në për ngjarjen. Drejtori i policisë, Arben Hyseni, mësohet se e ka pezulluar nga detyra Armando Gabën, deri në sqarimin e rrethanave.           p.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›