E Diel, 1 Nëntor 2026

Dhunohet në lokal drejtori i arsimit, dy nën akuzë

 

LIBRAZHD / ALDO KOZARJA

Drejtori i Arsimit, njëkohësisht nënkryetari i PD-së në Librazhd, u rrah dje nga dy persona, në qendër të qytetit. Ferit Hysa denoncoi dhunën e ushtruar, sipas tij, nga ish-polici Sokol Hoxha dhe Sabri Çota, ndërsa ndodheshin në ambientet e një lokali. Dy personat mësohet se kanë shkuar në lokalin ku ndodhej Hysa, prej 8 muajsh në krye të Arsimores. Ata kanë nisur të debatojnë mes tyre, pa ndonjë motiv të qartë, kur papritur situata ka precipituar në dhunë fizike. Siç dëshmoi dhe vetë Hysa, ai është kapur prej kollareje, duke u tërhequr deri jashtë lokalit, ku është qëlluar disa herë prej tyre. Në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë së Komisariatit të Librazhdit, për të qetësuar situatën. Aty ndodheshin vetëm nënkryetari i PD-së dhe një i njohur i tij, i cili është marrë në pyetje, ndërsa Hysa u dërgua në urgjencën e spitalit për të marrë mjekimin e nevojshëm. I kontaktuar nga gazeta, Drejtori i Arsimit në rreth akuzoi drejtuesit e policisë për përkrahje të dhunuesve të tij. "Kam pasur një incident me dy ekstremistë të majtë, njëri quhet Sokol Hoxha ndërsa tjetri Sabri Çota dhe për fatin e keq drejtuesit e policisë i kanë marrë në mbrojtje të dy këta agresorë. Ndërsa një person tjetër që ndërhyri për të zbutur sherrin u shoqërua padrejtësisht në polici. Unë nuk kam pasur asnjëherë probleme me këta persona, ky është një incident i pastër politik", u shpreh Hysa. Ai shton se ishte në punën e tij, duke pirë një kafe, kur dy personat hynë duke e shqetësuar. "Nuk di t'u kem borxh atyre apo t'u kem hyrë në hak. Ndoshta ata nuk e përballojnë dot këtë sistem, por ky nuk është faji im". Gjithashtu, Drejtori i Arsimit në Librazhd pohon se agresorët e tij janë me precedentë të kësaj natyre, pasi njihen si prishës të një mitingu elektoral në qytet. Ferit Hysa tha se do të bëjë denoncimin ndaj tyre në Prokurorinë e Elbasanit ditën e sotme, pasi ata e kanë goditur e fyer për shkak të detyrës dhe funksioneve që ka në këtë qytet. I pyetur për ngjarjen, shefi i komisariatit të Policisë së Librazhdit, Bajram Hajdarmeta, u shpreh se nuk u bë shoqërimi i dy personave të akuzuar, pasi ndaj tyre nuk kishte asnjë denoncim. Ai pohon se pasi ka kontaktuar me drejtorin e Arsimit ka konstatuar se ishte i pirë, duke e shtyrë për ditën e sotme marrjen e tij në pyetje dhe për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›