SHBA: Vendet e NATO të ratifikojnë protokollin
Shtabi Qendror i NATO-s në vendin tonë organizoi ditën e sotme në Tiranë seminarin me temë "Zgjerimi i Bashkëpunimit - Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO". Të pranishëm në këtë seminar ishin ambasadorët e vendeve të NATO-s në vendin tonë si dhe ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Përfaqësuesit e NATO-s vunë në dukje arritjet dhe reformat në forcat e armatosura shqiptare, duke vlerësuar kontributin e vendit tonë në misionet paqeruajtëse në Irak, Çad, Afganistan dhe Bosnje. Stephan Cristina, zv.ambasador i SHBA-së në Tiranë, i kërkoi të gjitha vendet e NATO-s "të ratifikojnë Protokollin e Anëtarësimit të Shqipërisë, siç bëri dhe Senati amerikan pak kohë më parë". Cristina dha gjithashtu dhe disa detyrime që duhet të plotësojë Shqipëria. "Shqipëria duhet të garantojë sigurinë e kufijve dhe të vijojë procesin e demilitarizimit të municioneve", u shpreh ai. Në fjalën e tij, ministri Oketa është shprehur se, "kur ne filluam rrugën për në NATO, ne e dinim se do të ishte një maratonë, por sot ne jemi në hapat e fundit. Dua të shfrytëzoj momentin të falënderoj ambasadorët për mbështetjen dhe duke iu konfirmuar se Forcat e Armatosura Shqiptare kanë arritur një progres, duke kapur standardet e NATO-s".