Dhunohet nga burri, kërkon mbrojtje nga policia
DURRËS – Dhunohej nga bashkëshorti, kërkon mbrojtje nga policia. Bëhet fjalë për shtetasen me inicialet Sh. Sh., e cila i është drejtuar ditën e djeshme Komisariatit të Policisë për të kërkuar marrjen në mbrojtje. Sipas kallëzimit të saj, bashkëshorti me inicialet H. Sh. e ka dhunuar në mënyrë sistematike duke e rrahur dhe keqtrajtuar. Menjëherë pas marrjes së kallëzimit uniformat blu të qytetit bregdetar plotësuan kërkesë-padinë për lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes, të cilin ia kaloi Gjykatës së Durrësit.
Plagosi me thikë bashkëmoshatarin, pranga autorit
TIRANË – Goditi me thikë bashkëmoshatarin e tij, arrestohet 17-vjeçari. Policia e kryeqytetit njofton se ka vënë në pranga 17-vjeçarin K. Gj., pasi, sipas saj, të hënën, rreth orës 19:00, në rrugën “Ali Demi” në Tiranë dyshohet se për motive të dobëta ka plagosur rëndë me dashje me thikë një bashkëmoshatarin e tij me iniciale F. S, i cili u dërgua menjëherë në Spitalin Ushtarak Tiranë dhe aktualisht ndodhet në gjendje të rënduar shëndetësore. Uniformat blu njoftojnë se pas mbledhjes së provave materiale ato i kaluan Prokurorisë së Tiranës për hetime të mëtejshme.
Ndalohet Haki Lama, iu konvertua gjoba me 8 ditë burg
KRUJË – Arrestohet Haki Lama, i dënuar nga Gjykata e Krujës më 40 mijë lekë gjobë për “prerje të paligjshme të pyjeve”. Ky person është shpallur në kërkim pas vendimit të Gjykatës, e cila e shpallte fajtor dhe e dënonte atë më gjobë. Por, mospagimi në kohë i gjobës e ka detyruar gjykatën ta konvertojë gjobën në 8 ditë burg. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, me vendim të datës 19.05.2009, ka vendosur konvertimin e dënimit nga gjobë 40 000 lekë në 8 ditë burg, vendim i cili ka marrë formën e prerë më datë 01.06.2009. Vetëm 18 ditë pas vendimit, Policia e Krujës e ka shpallur atë person në kërkim.
3 Mars 2010