Provimet e Maturës, MASH shpall programet e reja orientuese për Letërsinë dhe Matematikën
Ministria e Arsimit shpall zyrtarisht programet e reja orientuese për dy provimet me detyrim të Maturës, që janë: Gjuhë shqipe -Letërsi dhe Matematikë. Lënda e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, si dhe ajo e Matematikës, në përmbyllje të arsimit parauniversitar janë provime të detyruara, për të gjithë nxënësit që përfundojnë shkollat e mesme. Programet orientuese për dy provimet me detyrim, ndryshe nga ato me zgjedhje janë hartuar sërish këtë vit, si dhe nuk janë unike për të gjithë maturantët, por sipas profileve të shkollave të mesme. Po kështu, edhe testet për provimet me detyrim të Maturës do të hartohen sipas profilit të shkollave të mesme, çka do të thotë se për Letërsinë dhe Matematikën do të ketë disa lloje testesh. Provimi i Letërsisë dhe i Gjuhës shqipe, për vitin shkollor 2009-2010, do të zhvillohet mbi bazën e një programi orientues, i cili ndihmon të gjithë nxënësit dhe mësuesit në fazën parapërgatitore. Në përgatitjen për provimin e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe, mësuesit dhe nxënësit nuk duhet të mbështeten vetëm në fragmentin e dhënë në tekstet mësimore që shkolla e tyre ka përzgjedhur. Në praktikën e përditshme mësimore duhet të merren parasysh: njohuritë në lëndën e Letërsisë dhe Gjuhës shqipe; aftësitë e të studiuarit të tekstit poetik, tregimtar, eseistik e dramatik; qëndrimet ndaj vlerave artistike, të cilat fitohen dhe zbatohen duke punuar në tekste/fragmente të shkëputura nga vepra letrare, por që do të aplikohen në tekste të tjera, pra në fragmente të përzgjedhura nga vepra e plotë. Edhe për provimin e Matematikës, programet janë ndërtuar në përputhje me parimet e hartimit të programeve mësimore që janë në zbatim në shkollat e mesme, duke i shtrirë metodat dhe idetë kryesore në të gjitha linjat, për të realizuar kompaktësimin e lëndës. Puna me këto programe nënkupton përzgjedhjen dhe zbatimin nga mësuesit të metodave dhe formave të përshtatshme të punës në orën mësimore. Mësuesi është gjithashtu i lirë të gjykojë për sasinë dhe llojshmërinë e zbatimeve dhe të ushtrimeve që duhet të zhvillojë, duke u mbështetur në arritjet e pritshme mësimore.
3 Mars 2010