Prokuroria e Tiranës: Ekspertizat zvarrisin hetimet e çështjeve
Thimi Samarxhiu
TIRANË – Zvarritje e procesit hetimor për mosdorëzimin në kohë të ekspertizave është problemi më kryesor i Prokurorisë së Tiranës. Kjo gjë u pohua ditën e djeshme nga kreu i Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, gjatë analizës vjetore të këtij institucioni. Gjatë fjalës së tij Xholi vuri theksin dhe te roli më aktiv që duhet të marrin oficerët e Policisë Gjyqësore në hetimin e çështjeve. Gjithashtu, kreu i Prokurorisë së kryeqytetit u shpreh se këtë vit është vërejtur dhe një numër më i madh kallëzimesh të depozituara në këtë organ, plot 7286 të tilla.
Problematikat
Prokuroria e Tiranës, e cila është dhe më e madhja në vend, ka paraqitur ditën e djeshme punën e saj për vitin 2009. Gjatë kësaj analize, përveç kreut të Prokurorisë së Tiranës, Genti Xholi, kanë qenë të pranishëm: kryeprokurorja Ina Rama, drejtori i Hetimeve në Prokurorinë e Përgjithshme, Sokol Stojani, kryetari i Gjykatës së Tiranës, Artan Zeneli, si dhe zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Artan Cuku.
Një ndër problemet më kryesore të paraqitura nga ana e Xholit ishte mosverifikimi në kohë i akteve të ekspertizës. “Procesi i hetimit zvarritet për shkak se nuk arrihet të sigurohen dhe të verifikohen në kohë aktet e ekspertizës, si ato mjeko-ligjore, ashtu dhe tabelat fotografike të vendngjarjeve”, – ka deklaruar Xholi. Ky fenomen çon në shtyrjen në prag të kufijve të përcaktuar në ligj të afateve hetimore.
Ndër të tjera, kreu i Prokurorisë së Tiranës u ndal edhe te puna e oficerëve të Policisë Gjyqësore duke kërkuar prej tyre rol më aktiv gjatë hetimit të çështjeve të shumta që vijnë në këtë organ hetimi. Ai nuk la pa përmendur dhe punën jo të mjaftueshme nga ana e Policisë në drejtim të hetimit të ngjarjeve. Gjatë leximit të shifrave të dosjeve të hetuara, Genti Xholi deklaroj se gjatë vitit 2009 është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të vjedhjeve, qofshin këto me dhunë ose me armë. “Vërehet ndjeshëm rritja e krimeve ndaj pasurisë dhe personit, ku krimet që kanë të bëjnë me vjedhjet, kapin një shifër shumë të madhe të ët gjithë dosjeve që hetohen nga kjo prokurori” – deklaroi kryeprokurori i Tiranës.
Statistikat
Plot 7286 kallëzimi janë depozituar gjatë vitit 2009 në Prokurorinë e Tiranës, ku 5973 prej tyre janë sjellë nga ana e Policisë. Krahasuar me një vit më parë, janë regjistruar 297 kallëzime më shumë. Ndërkohë, për gjykim janë dërguar 1885 çështje me 2343 të pandehur. Sipas statistikave të vitit 2009, nga 7286 kallëzime, Prokuroria e Tiranës ka pezulluar 1960 prej tyre dhe ka pushuar 918 prej tyre.
Gjatë fjalës së tij, kreu i organit të akuzës së kryeqytetit u shpreh se është mbartur nga një vit më parë një numër i madh dosjesh, rreth 2263. Një tjetër pikë e prekur gjatë analizës kishte të bënte dhe me dosjet e rimarra për hetim nga ana e këtij organi. Më konkretisht, janë 182 dosje për të cilat është vendosur rinisja e hetimeve. Nga këto, 29 janë dërguar për gjykim, 41 janë pushuar, 70 janë pezulluar, ndërsa për 36 prej tyre është ende duke u hetuar. Pas leximit të statistikave të vitit 2009 krerët e organit të akuzës vazhduan diskutimet më tej më dyer të mbyllura, ku u mësua se është bërë një përmbledhje e punës për çdo prokuror të Prokurorisë së Tiranës gjatë vitit 2009.
3 Mars 2010