E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maturantët nga jashtë, nis konvertimi i notave të provimeve

 

Nis përllogaritja e notave të provimeve të detyruara për të gjithë maturantët që vijnë nga jashtë. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, komisioni i posaçëm i ngritur për ekuivalentimin e diplomave, po punon për të nxjerrë rezultatet për të gjitha ata kandidatë, që duan të vijojnë në Shqipëri universitetin. Me përfundimin e këtij procesi, ky komision pritet që shumë shpejt të publikojë notat përkatëse të lëndëve të detyruara të konvertuara sipas sistemit tonë arsimor.
Nga sa përcakton rregullorja e maturës shtetërore, këto rezultate duhet t’u shpërndahen drejtorive arsimore të çdo rrethi, ku maturanti ka vendbanimin. Komisionet e maturës, të ngritura pranë drejtorive arsimore, pas marrjes së këtyre rezultateve, duhet të caktojnë shkollën ku kandidati do të paraqitet për dhënien e provimeve me zgjedhje, si dhe do të plotësojë formularët A-1 dhe A-2. Gjithashtu, këtij komisioni do t’i dërgohen edhe notat që janë ekuivalentuar për provimet e detyruara, që janë dhënë nga maturanti kur ka mbaruar arsimin e mesëm. Komisioni i maturës duhet të dorëzojë zyrtarisht në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve, formularët A-1 të plotësuar nga shtetasit, brenda datës 5 maj 2009. Më tej këta kandidatë do të hyjnë në garën e përzgjedhjes se preferencave. Formularët A-2 plotësohen nga shtetasit brenda datës 30 qershor 2009 dhe dorëzohen në komisionin shkollor të maturës shtetërore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›