Dhunohet varri monumental i Jorgucatit
Për të dytën herë brenda një jave persona të panjohur kanë dhunuar Varrin Monumental të Jorgucatit, një monument kulture i periudhës antike, që doli në dritë 8 vjet më parë gjatë punimeve për ndërtimin e autostradës Gjirokastër-Kakavijë. Sipas drejtorit të Kulturës Kombëtare në Rajonin e Gjirokastrës Spartak Drasa, rastet janë denoncuar në polici, por deri tani nuk ka asnjë reagim nga strukturat e specializuara. Nga këqyrja që i kanë bërë monumentit, ekspertët kanë konstatuar në mënyrë fare të qartë se bëhet fjalë për një ndërhyrje të dhunshme dhe të qëllimshme me mjete të forta, për të shkatërruar disa pjesë të dyshemesë dhe pragut të këtij varri. Sipas tij, për sa kohë nuk ka një përgjigje nga ekspertët e policisë për autorët e këtij krimi, është mjaft e vështirë të flitet për qëllimin e kësaj barbarie. Drasa ka pohuar për gazetën “Panorama” se në të dy rastet është informuar nga shoqëruesit e grupeve të arkeologëve që aktualisht janë duke kryer ekspedita arkeologjike dhe vëzhgime në terren të siteve dhe objekteve antike në Gjirokastër, Butrint, Mursi, etj. Varri monumental i Jorgucatit është zbuluar tetë vjet më parë ku gjendet në krahun e majtë të rrugës kombëtare Gjirokastër-Sarandë, rreth 800 metra në verilindje të fshatit Jorgucat. Ai u zbulua krejt rastësisht gjatë punimeve për ndërtimin e autostradës Gjirokastër-Kakavije. Ai ka formë katërkëndëshe me dimensione 9.30 x 4.80 m, e orientim JL-VP. Muret janë ndërtuar trapezoidale e paralelopipedi. Guri poroz nuk është në natyrën e zonës përreth monumentit, por i marrë nga një territor tjetër”, është shprehur arkeologu Dhimitër çondi. “Zakonisht varret monumentale të zbuluara në Ilirin e Jugut dhe Epir, kanë qenë grabitur që në kohën antike, duke mos na dhënë materiale të saktë datimi”, thotë arkeologu. Në ndihmë të datimit, krahas fragmenteve të qeramikave helenistike është dhe muratura me blloqe izodomik me faqe të rafshta dhe puthitje mjaft të mirë të blloqeve midis tyre, si një ndërtim i së njëjtës teknikë me muret rrethues të qyteteve epirote në gjysmën e dytë të shek. II para Krishtit. Ky tip varri është i dëshmuar dhe në Jug të Vjosës, nga një varr i zbuluar në kalanë e Borshit. Varianti i varrit të Jorgucatit është diçka më i vonë nga tipat e tjerë dhe datohet në shek. III-II para Krishtit. P. N