E Shtunë, 31 Tetor 2026

Libri, Zogaj rrëfen prapaskenat politike mes dy zgjedhjeve



alma mile

Politika shqiptare është një terren i lëvizshëm. Të majtë që bëjnë koalicione me të djathtë, “luftëtarë” në llogore të kundërta betejash që rreshtohen në të njëjtën anë... Një kohë e çuditshme, por që ndoshta herët a vonë, të gjithë do të jenë nëpër vendet e tyre. “Të gjithë nëpër vendet e tyre”, kështu e titullon librin e tij të radhës me ese politike shkrimtari Preç Zogaj. Gjatë karrierës së tij prej politikani dhe letrari të mirë, Zogaj e ka parë të shkruarit gjithnjë si një mision. Megjithatë të jesh “kronikan” i ngjarjeve të nxehta politike, nuk është edhe aq e thjeshtë. “Jeta ime profesionale është e ndarë mes letërsisë dhe gazetarisë, mes politikës dhe të shkruarit dhe duke qenë dëshmitar dhe aktor, e kam parë si mision të dokumentoj kronikën e cila më vonë mund të bëhet histori”. Kështu u shpreh Preç Zogaj dje, gjatë prezantimit të librit “Të gjithë nëpër vendet e tyre”, ku ishin të pranishëm shumë njerëz të medias, gazetarë e analistë. “Parimi i librave të mi është kronologjia, pavarësisht se ka një fill ideor që organizon lëndën dhe ky fill në këtë libër është shpërbërja e spektrit politik. Kemi shfaqjen e një dukurie të veçantë për Shqipërinë”, thotë Zogaj, teksa shton se si po s
Source

Style

Format

Font

Size

hpërbëhet spektri i vjetër politik, duke na dhënë një tjetër konfigurim, ku kundërshtarë të “përbetuar”, pas 18-19 vjet beteje, ulen në të njëjtën anë të tryezës.
Personazhet
Ka kryqëzime, interferime. “Ka fakte dhe fate, që ndërtojnë fabulën e lëvizjes së gjallë të politikës shqiptare”. Gjithçka është në lëvizje dhe kjo është arsyeja, pse Preç Zogaj nuk merret me personazhet, por me ngjarjet. “Personazhet janë po ata, të krijuar nga mjedisi shoqëror dhe kulturor, spektri politik. Të rëndësishme janë ngjarjet që ata prodhojnë”. Dhe në të vërtetë në kolanën e librave të tij politikë, pak a shumë janë të njëjtët personazhe që lëvizin në këto 20 vite tranzicion dhe që bëhen faktorë të ngjarjeve të ndryshme. Me një penë të hollë ai ofron ngjarjet si ai i ka parë. Nëpër to parakalojnë personazhe të njohur të të gjitha ngjyrave, si Sali Berisha, Ilir Meta, Edi Rama, Spartak Ngjela, Besnik Mustafaj, etj., por edhe më pak të njohur, që situata të caktuara i kanë bërë ata personazhe. Dhe lexuesi i zgjuar mundet ta ndërtojë vetë profilin e personazheve, që siç thotë autori, kanë prodhuar ngjarjet. Në librin e fundit, Zogaj përmbledh ngjarjet më pikante politike të ndodhura gjatë katër viteve të fundit, që respektivisht përkon me një mandat të plotë qeveritar. Ngjarje për të cilat është folur gjatë, janë rrahur nëpër debate, por edhe prapaskena, të cilat mund t’i ofrojë vetëm një dëshmitar okular, siç është Zogaj. “Një libër politik, i shkruar si libër artistik “të gjithë nëpër vendet e tyre” ka në fokus ngjarje dhe marrëdhënie politike të periudhës 2005-2009 në Shqipëri. Në vazhdën e librave të mëparshëm të së njëjtës kolanë, preç Zogaj, sjell si shkrimtar dhe si dëshmitar pamjet e një bote që rrotullohet non stop në sytë e publikut, siç është politika, por që megjithatë, mbetet e panjohur dhe e huaj për shkak të hendekut që ka krijuar me publikun”, shkruhet në fund të librit.
Ngjarjet
“Të gjithë nëpër vendet e tyre”, është strukturuar në 9 pjesë, që duket se janë edhe kryetemat e këtij libri. Nis me zgjedhjet e vitit 2005, që nxorën fituese Partinë Demokratike, për të vazhduar me largimin e Spartak Ngjelës nga Partia Demokratike, përballja e Berishës me Ngjelën, dorëheqja e Besnik Mustafajt nga Ministër i Punëve të Jashtme, zgjedhja e Bamir Topit, President të Republikës së Shqipërisë, vizita e Presidentit amerikan Xhorxh Bush në Tiranë, fundi i marrëdhënies Berisha-Baze, fillimi i punimeve për segmentin rrugor Rrëshen-Kalimash, ngjarja tragjike e Gërdecit, spostimi i tij në zgjedhjet e një viti më parë, kandidimi në Lezhë me partinë e Ngjelës, për të vijuar me postzgjedhjet, numërimin e votave, shpalljen e koalicionit Berisha-Meta, bojkotimin e Kuvendit nga opozita dhe në fund “Të gjithë nëpër vendet e veta”.
Sipas Henri çilit, redaktor i librit, kjo vepër është një autopsi e fenomenit politik shqiptar, që shpesh herë mbulohet nga zhurma e ngjarjeve. Sipas tij, Zogaj është koherent në trajtesat e tij dhe intuitiv në gjetjen e shkaqeve të fenomeneve. Duke e konsideruar fuqinë e arsyetimit dhe të refleksionit “të klasit të parë”, çili u shpreh se ky libër është një inkurajim për të shkruarin mbi tranzicionin shqiptar, për të ruajtur kujtesën kohore dhe historike. “Shumë pak mbetet veç të shkruarës”, tha ai. Sipas çilit, shumë shpejt, kjo vepër do të bëhet pjesë e kolanës “20 libra për tranzicionin”, botim i “UET Press”, ku gazetarë dhe politikanë po përfshijnë dëshmitë e tyre nga përjetimet e këtyre dy dekadave tranzicion. Disa muaj më parë, Zogaj prezantoi vëllimin e parë me ese politike “Intuicionet e tranzicionit 1” e pritet të dalë edhe vëllimi i dytë.
Stili
Siç thotë Preç Zogaj, ndryshe nga historia, e cila pas një distance kohore, është më e thjeshtë për t’u shkruar, të shkruash për aktualitetin je gjithnjë në sprovën e kohës, nëse do t’i rezistosh asaj, apo jo. Por të qënurit objektiv dhe i vërtetë nuk është i vetmi shqetësim i autorit. “Sfida jonë është të ruajmë vlerat e gjuhës, të sjellim forma të reja të shprehjes publicistike dhe letrare”, thotë ai, duke thënë se në fund betejën e fiton stili. Dhe në rastin e Zogajt, kjo është më se e vërtetë. Esetë e tij politike janë të shkruara me një gjuhë të këndshme letrare, autori qëmton një fjalor të zgjedhur fjalësh, çka e bën edhe më tërheqëse veprën. Kjo bën që librat e tij të jenë të lexueshëm nga të gjithë. Jo vetëm të interesuarit mbi politikën mund të gjejnë ngjarje dhe fakte, të servirura nga një dëshmitar i kohës, por edhe atyre që nuk u intereson fare kjo fushë, mund të shijojnë gjuhën e pasur dhe stilin që karakterizon veprën e Zogajt, qoftë kjo politike, apo letrare.

Libri

Titulli:“Të gjithë nëpër vendet e tyre”
Autori:“Preç Zogaj”
Shtëpia Botuese:“Dita 2000”
Numri i faqeve:225
çmimi:700 lekë

Libra të tjerë politikë:

“Rënia e zgjedhjeve” (1997) “Vera e përjetshme” (1998) “Lufta jocivile” (1999) “Paradhoma e një presidenti” (2001) “Nga hiri” (2003) “Finalja” (2005)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›