E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbia, notë proteste Shqipërisë për njohjen e pavarësisë së Kosovës

Një ditë pas shpalljes së pavarësisë, Shqipëria njohu Kosovën si shtetin më të ri të Ballkanit. Ndaj këtij veprimi ka reaguar me nota proteste i ngarkuari me punë i Serbisë në Shqipëri, Zariç. Ai është shprehur se njohja e shtetit të Kosovës është në kundërshtim me Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Sipas përfaqësuesit serb në Shqipëri, vendimi i qeverisë kosovare për shpalljen e pavarësisë cenon të drejtën ndërkombëtare duke rrezikuar destabilizimin e rajonit, por dhe më gjerë. Zariç ka theksuar se masat e Serbisë ndaj njohjes që Shqipëria i bëri Republikës së Kosovës do të jenë diplomatike, megjithatë nuk mendohet të vendoset ndonjë embargo ndaj Shqipërisë. Sipas tij, akreditimi i përfaqësuesve serbë në Shqipëri nuk është më i sigurt dhe tashmë nuk mund të priten marrëdhënie të mira me vendin që njohu pa hezituar pavarësinë e Kosovës. Zariç ka bërë të ditur se është thirrur nga Serbia për të diskutuar hapat e mëtejshme që do të ndiqen pas kësaj. Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt. Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi filluan menjëherë të kërkojnë mbështetjen dhe njohjen e shtetit të ri nga të gjitha vendet. Shqipëria nuk hezitoi duke e cilësuar pavarësinë si zgjidhjen e duhur. Para dy ditësh, qeveria shqiptare ka bërë të ditur emërimin e Islam Laukës ambasador në Prishtinë. Ngritja e përfaqësimit diplomatik në nivel ambasadori në Kosovë është vendosur nga kryeministri Sali Berisha në konsultim me presidentin Bamir Topi. Reagime negative nga qeveria serbe ka patur edhe ndaj Italisë, e cila ka deklaruar se do të njohë zyrtarisht pavarësinë e Kosovës gjatë ditës së sotme. Ministri italian i Punëve të Jashtme Masimo D’Alema e ka konsideruar veprimin e autoriteteve kosovare si një zgjedhje kurajoze dhe pavarësinë një përfundim të pashmangshëm. “Me Kosovën, Europa ka bërë një zgjedhje kurajoze. Pavarësia e Kosovës është një përfundim i pashmangshëm”, - ka deklaruar D’Alema. “Kosova nuk mund të qëndrojë përgjithmonë nën administrimin ndërkombëtar, ndërsa kosovarët nuk duan të jenë më nën dominimin e Serbisë”, - është shprehur ministri italian.
Italia është një nga kontribueset kryesore të misionit civil të BE-së në Kosovë i cili do të përbëhet nga pothuajse 2000 trupa.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›