E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjermania, Austria dhe Letonia njohin Kosovën e pavarur

Fuqive të Mëdha që njohën pavarësinë e Kosovës u është shtuar gjatë ditës së djeshme edhe Gjermania, Austria dhe Letonia, ndërsa Italia pritet të marrë vendimin e njohjes gjatë ditës së sotme. Por edhe Norvegjia ka premtuar se do t’u bashkohet vendeve të tjera. Kabineti qeveritar gjerman ka rënë dakord në mbledhjen e rregullt të ditës së djeshme që të njohë Republikën e Kosovës dhe të vendosë me të marrëdhënie diplomatike. Ndërsa presidenti gjerman Këler i ka nisur një letër homologut të tij kosovar, Fatmir Sejdiu, ku mes të tjerash thuhet se Gjermania njeh pavarësinë e Kosovës dhe se presidenti gjerman këshillon vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës. Pavarësinë e Kosovës e kundërshton vetëm grupi parlamentar i opozitarëve të majtë. Wellen Stefan Bredohl, zëdhënës i Ministrisë së Jashtme, ka bërë të ditur se ditët e ardhshme zyra gjermane në Prishtinë do të shndërrohet në ambasadë. Drejtuesi aktual i kësaj zyre do të marrë përsipër provizorisht drejtimin e ambasadës. Pavarësia e Kosovës është vlerësuar edhe nga Letonia.
“Letonia i vlerëson lart parimet e përfshira në deklaratë, që janë madhore për një shoqëri demokratike”, - thuhet në njoftimin e qeverisë së këtij vendi. “Parimet, siç janë stabiliteti, rritja ekonomike, siguria, të drejtat e njeriut, mbrojtja e minoriteteve dhe paprekshmëria e trashëgimisë religjioze dhe kulturore janë elementet bazë mbi të cilat duhet të ndërtohet e ardhmja e Kosovës”, - thuhet ndërmjet të tjerash në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Letonisë.

21 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›