E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dhunon tatimorin, në pranga tregtari

Një punonjës i tatim-taksave pranë Bashkisë së Çorovodës ka rënë pre e dhunës së një tregtari. Nga burimet policore mësohet se Adil Gurri, punonjës i zyrës së tatimeve është rrahur fizikisht nga një tregtar. Gurri ka qenë duke ushtruar detyrën dhe rreth orës 11:00 është konfrontuar në ambientet e tregut industrial dhe më pas është dhunuar. Gurri ka qenë duke mbledhur taksat lokale dhe është grindur për shkak të punës me Bujar Cakën. Ai mësohet t‘i ketë kërkuar shpjegime punonjësit të tatim-taksave në lidhje me shumën e tatimit, që duhet t‘i paguante bashkisë. Ndonëse, punonjësi i tatimeve i ka shpjeguar tregtarit rreth shumës që duhet të paguante, ky i fundit jo vetëm që ka shprehur pakënaqësi, por ka nisur ta ofendojë. Më pas mes tyre ka nisur sherri dhe tregtari e ka dhunuar punonjësin Gurri. Gurri, 55 vjeç, banor i qytetit të Çorovodës mësohet se më pas ka mbërritur në organin blu të këtij qyteti, ku ka bërë denoncimin në lidhje me incidentin. Policia arrestoi pak orë më pas autorin e kësaj ngjarjeje, 46-vjeçarin Bujar Caka.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›