E Diel, 1 Nëntor 2026

Interpol sjell në Shqipëri dy shfrytëzues femrash

Interpol Tirana ekstradon dy të dënuar për shfrytëzim prostitutash në rrethana rënduese. Ditën e djeshme Interpol-Tirana kreu ekstradimin e Viktor Nikollit nga Milano e Italisë dhe Petrit Sulejmanit nga Frankfurti i Gjermanisë. Ekstradimi i Sulejmanit është bërë, pasi Gjykata e Fierit, me vendimin nr. 251, datë 31 tetor 2005, e ka dënuar me 10 vjet heqje lirie, për shfrytëzim të prostitucionit në rrethana rënduese. Nga hetimet paraprake dhe nga gjykimi i çështjes ka rezultuar se në vitin 1998, Petrit Sulejmani është njohur në Larisa me shtetasen A. B, e cila ndërkohë ushtronte prostitucion në Greqi. Duke qenë në dijeni të këtij fakti, ai i ka premtuar martesë A. B. Më tej, ai e ka shfrytëzuar prostitutën rreth një vit në Greqi, pastaj janë kthyer për në Shqipëri, dhe nga Shqipëria, janë nisur me gomone për në Itali. Gjithashtu, policia bëri të ditur zyrtarisht se Petrit Sulejmani e ka shfrytëzuar si prostitutë atë në Itali, Angli dhe më pas në Gjermani. Më datë 29 korrik 2002, kjo vajzë, pasi është kthyer në Shqipëri nga autoritetet gjermane ka bërë kallëzim ndaj Petrit Sulejmanit. Ndërkohë, Viktor Nikolli është deklaruar fajtor nga Gjykata e Laçit, e cila me vendimin nr. 112, datë 06 korrik 2005, e ka dënuar me 8 vjet burgim për të njëjtën vepër penale. "Nikolli, me anë të mashtrimit ka arritur të bindë shtetasen me inicialet SH. N., që të shkonte bashkë me të jashtë shtetit. Pasi kanë arritur ne Portugali, Viktor Nikolli e ka detyruar atë të prostituonte", deklaroi zyrtarisht Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol-Tirana me Interpol Milanon dhe Interpol Frankfurtin u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i këtyre shtetasve dhe vënia përballë drejtësisë për veprat e kryera. Në Aeroportin e Rinasit, këta persona i janë dorëzuar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve. Policia tha se tashmë, ata do të vuajnë dënimin e dhënë nga drejtësia shqiptare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›