"Top Channel", ndihmë 10 mijë euro për të mbijetuarit e tragjedisë
Në ndihmë të të mbijetuarve të tragjedisë së Gërdecit ka ardhur edhe televizioni kombëtar "Top Channel". Drejtuesit e tij kanë vendosur që të derdhin një shumë prej 10 mijë eurosh në numrin e llogarisë së vënë në dispozicion nga qeveria, duke u solidarizuar me dhimbjen e familjeve që u dëmtuan nga kjo katastrofë.
Po kështu, edhe Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka kontribuar dje me 15 mijë euro për rindërtimin e qendrës mjekësore të fshatit Gërdec. Kjo qendër është shkatërruar plotësisht si pasojë e shpërthimeve që ndodhën në vendgrumbullimin e municioneve në Gërdec. "Megjithëse Prezenca e OSBE-së nuk është një organizatë donatore në vetvete, unë dhe ekipi im do të dëshironim të demonstronim mbështetjen dhe solidarizimin tonë me popullin shqiptar, dhe veçanërisht me banorët e Gërdecit, gjatë kësaj kohe shumë të vështirë", tha kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosch. Sipas tij, një qendër mjekësore funksionale do të jetë vendimtare për mirëqenien në të ardhmen për komunitetin lokal të Gërdecit. "Ne shpresojmë që kontributi ynë modest të ndihmojë në arritjen e këtij qëllimi dhe të garantojë rindërtimin e shpejtë të qendrës", shtoi ai. Dy ditë më parë, duke u bashkuar me kreun e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ministri i Jashtëm finlandez, Ilkka Kanerva, përcolli ngushëllimet e tij dhe ofroi asistencë teknike në emër të organizatës.
Gjithashtu, edhe Fondacioni Vodafone Albania, me mbështetjen e Vodafone Albania sh.a. dhe Vodafone Group Foundation, konfirmon kontributin në shumën prej 30,400,000 lekë, nga e cila vetëm 24,000,000 lekë është ofruar prej Vodafone Albania sh.a. dhe 40.000 euro (6.400.000 lekë) nga Vodafone Group Foundation për t‘u përdorur në shërbim të përmbushjes së nevojave të komunitetit të prekur nga fatkeqësia e shkaktuar prej shpërthimit në fshatin Gërdec (Vorë). Në qëndrimin e tyre zyrtar thuhet se "përballë kësaj situate emergjente, Fondacioni Vodafone Albania u ka kërkuar zyrtarisht autoriteteve të ngarkuara njohjen e vlerësimit të nevojave për të identifikuar fushat apo çështjet për të cilat do të mund të adresohet në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe efikase kontributi ndaj komunitetit të prekur prej fatkeqësisë". Kryetari i Bordit Drejtues të këtij Fondacioni, Thomas Papaspyrou, tha se "bazuar në përvojën mbarëbotërore në rastet e fatkeqësive njerëzore të ndodhura, Vodafone Group Foundation po bën të mundur me anë të fondit të dhuruar përgjigjen e shpejtë e të duhur edhe ndaj një ‘Shqipërie në nevojë‘". Ndërsa, drejtori ekzekutiv i Vodafone Albania, Haris Broumidis, duke shprehur ngushëllimet ndaj të prekurve nga fatkeqësia, shtoi se "duke vlerësuar situatën e ndodhur, do të konfirmoja mbështetjen e Vodafone Albania ndaj komunitetit të prekur nga kjo ngjarje tragjike".