Katastrofa, 20 milionë dollarë në ndihmë të familjeve të prekura
Për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i fabrikës në fshatin Gërdec do të përdoret fondi rezervë i Këshillit të Ministrave. Sipas ligjit "Për buxhetin e shtetit 2008", fondi në këtë zë është parashikuar rreth 20 milionë dollarë. Nisur nga deklarata e Kryeministrit të vendit, Sali Berisha, për përballimin e dëmit nga ana e qeverisë, Komisioni Ndërministror i Emergjencës është duke bërë vlerësimet paraprake të dëmit, për t‘ia kaluar si faturë financiare Ministrisë së Financave. Zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, sqaron për gazetën "Shqip", se "për të përballuar dëmet materiale të shkaktuara nga kjo tragjedi, do të përdoret fondi rezervë i qeverisë, i cili për këtë vit është parashikuar rreth 20 milionë dollarë". Shehu shton se aktualisht në ministri është tepër herët për të bërë një përllogaritje të dëmit financiar dhe se priten rezultatet nga Komisioni Ndërministror i Emergjencës, i kryesuar nga zëvendëskryeministri Gazmend Oketa. "Ministria e Financave, momentalisht nuk ka ngritur grup-pune për të identifikuar dëmin, por do të bëhet në hapat e mëtejshme, pas një vendimi të qeverisë". Për sa i përket mundësisë të mosplotësimit të nevojave nga kjo shumë, Shehu shtoi se mund të përdoret fondi i kontingjencës, i cili parashikon një shumë prej 45 milionë dollarë. Sipas ligjit për buxhetin e shtetit, i miratuar fundin e vitit që shkoi, zëri "fond kontingjence" do të përdoret për zbatimin e politikave në rritje pagash dhe pensionesh, nëse preken nga rritja e inflacionit. Ligjërisht, qeveria ka të drejtë të përdorë vetëm rezervat e saj, të përcaktuara në nenin 11 të ligjit, vlera e së cilës nuk e kalon 20 milionë dollarë.
Deklarata
Për t‘i paraprirë mungesës financiare në përballimin e dëmeve të tragjedisë në Gërdec, Kryeministri Berisha, dje i bëri thirrje të gjitha institucioneve financiare, përfshi dhe bizneseve private. Po dje, Kryeministri njoftoi për hapjen e një llogarie bankare në "Raiffeisen Bank". Berisha bëri apel se te llogaria "Ndihma për të prekurit nga ngjarja në Gërdec", ftohen të gjithë ata që duan të japin kontributin e tyre në ndihmë të viktimave të tragjedisë së Vorës dhe familjet e tyre. Llogaria bankare është hapur në katër valuta. Ajo është: në Lek 8003890900, EUR 8000890900, GBP 8002890900 dhe USD 8001890900.
Dëmi
Shifrat për dëmin material të shkaktuar nga kjo tragjedi janë të ndryshme, në deklarata të ndryshme. Sipas Kryeministrit të vendit, shifrat e fundit flasin për rreth 318 shtëpi të dëmtuara, ku mbi 100 prej tyre janë të shkatërruara plotësisht. Ndërsa kryetari i Bashkisë së Vorës pohon se numri i banesave të prekura nga kjo ngjarje shkon në rreth 300, ku gjysma prej tyre janë të mbuluara në gërmadha. Për sa i përket identifikimit të saktë të banesave të dëmtuara, Berisha ka urdhëruar Agjencinë e Legalizimeve (ALUIZNI), e cila do të përfshihet në grupin e punës të Komisionit Ndërministror të Emergjencave. Qeveria duhet të përllogarisë jo vetëm banesat e prishura, por edhe sendet elektro-shtëpiake brenda tyre, si dhe objektet me aktivitetet biznesi.