Qeveria e Kosovës, 50 mijë euro për Gërdecin
Qeveria e Kosovës ka kontribuar me 50 mijë euro për qytetarët e zonës së dëmtuar në fshatin Gërdec, në Bashkinë e Vorës. Lajmi u mësua nga takimi i zhvilluar dje mes Kryeministrit Berisha dhe ministrit të Transporteve të Kosovës, Fatmir Limaj dhe ministrit të Brendshëm, Zenun Pajaziti. Ata gjenden në Shqipëri për të përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe të mbështetjes vëllazërore të Presidentit Sejdiu dhe Kryeministrit Thaçi, qeverisë dhe mbarë qytetarëve të Kosovës. Kryeministri ka falënderuar ministrat e qeverisë së Kosovës, të cilët janë duke i qëndruar pranë popullit shqiptar. "Zoti Limaj më njoftoi se qeveria e Kosovës, Kryeministri, ka vendosur një kontribut prej 50 mijë euro për qytetarët e zonës së dëmtuar. Unë i jam shumë mirënjohës dhe dua t‘i falënderoj në emër të qytetarëve të zonave të dëmtuara dhe qytetarëve shqiptarë në tërësi. Edhe një herë shumë faleminderit për vizitën dhe solidaritetin vëllazëror", tha dje Berisha. Ndërsa Limaj shtoi se "jemi këtu për të ndarë dhimbjen dhe solidaritetin e qeverisë dhe popullit të Kosovës me qeverinë dhe popullin shqiptar, në këtë moment të rëndë. Dje, Kosova, ka qenë e tëra e fokusuar dhe e drejtuar drejt zhvillimeve këtu, duke e përcjellë atë çdo sekondë. Jemi ndier jashtëzakonisht rëndë dhe keq nga ajo çfarë kemi parë".