Dhurohen 1500 pemë për kryeqytetin
Nisma "Një qytetar-një pemë" ka vijuar me mbjelljen e 40 blinjve në rrugën "Themistokli Gërmenji", si dhe 25 gështenjave në rrugën "A.Z.Çajupi" në kryeqytet. Ky ka qenë fryt i bashkimit të dy sipërmarrjeve të tjera private me këtë nismë të Bashkisë së Tiranës. "Sot, ka shkuar në 1500 dhe po shkon më tej, numri i pemëve të dhuruara nga bankat, nga sipërmarrësit, nga këta qytetarë të mirë të Tiranës, të cilët i janë bashkangjitur dhe po i bashkëngjiten dita-ditës nismës ‘Një qytetar-një pemë‘", u shpreh dje kryebashkiaku Edi Rama. Sipas tij, kjo do të thotë rritje e përmasës së gjelbër të kryeqytetit, si dhe rritje e cilësisë së ajrit në mjedis. Kreu i Bashkisë së Tiranës, vijoi më tej, duke thënë se "në këtë stacion të ri ku kemi mbërritur, me arritjen në 1500 të numrit të pemëve të reja, ne mund ta shikojmë me siguri të plotë të ardhmen e këtij projekti, i cili do të shkojë duke u shumëfishuar, jo vetëm në territorin e Tiranës, por edhe në territorin e gjithë Shqipërisë së nesërme".