E Shtunë, 31 Tetor 2026

MASH: 10 bursa turke për nxënësit e të mesmeve

Në kuadrin e "Programit të Madh të Nxënësve", Qeveria e Republikës së Turqisë ofron 10 bursa për nxënësit shqiptarë që dëshirojnë të ndjekin studimet universitare në Republikën e Turqisë, për vitin akademik 2009-2010. Aplikantët për këto bursa do t‘i nënshtrohen një konkursi, që do të zhvillohet në Tiranë, më 19 prill 2009, dhe duhet të plotësojnë disa kushte. Nxënësit aplikues duhet të jenë në vitin e fundit të shkollës së mesme, ose ta kenë përfunduar atë dhe të kenë lindur pas datës 1 janar 1985. Ata nuk duhet të kenë humbur të drejtën e bursës (përjashto arsyet shëndetësore dhe të fatkeqësive natyrore), në rast se më parë kanë fituar bursë shtetërore për të studiuar në Turqi. Gjithashtu kërkohet që të jenë të aftë nga ana shëndetësore për studime. Sektori i marrëdhënieve me jashtë në Ministrinë e Arsimit bën të ditur edhe mënyrat e regjistrimit që duhet të ndjekin aplikantët për këto bursa. Sipas tyre, kërkesat për regjistrim duhet të bëhen pranë Ambasadës së Republikës së Turqisë në Tiranë, nga data 16 mars deri më 10 prill 2009, duke telefonuar në numrat 2380350, 2380350 dhe 2380353, në orën 10:00 - 12:30, paradite, dhe 14:00-16:00, mbasdite (me përjashtim të ditës së hënë, të shtunë dhe të diel). Pas fiksimit të orës dhe datës për të plotësuar formularin e aplikimit, aplikanti, kur të shkojë në ambasadë, duhet të ketë me vete një fotografi dhe një dokument identifikimi (pasaportë ose certifikatë të gjendjes civile me fotografi). Ndërsa dy ditë përpara konkurrimit, aplikantët, duke telefonuar në Ambasadë, do të mësojnë vendin se ku do të zhvillohet konkursi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›