E Shtunë, 31 Tetor 2026

Më 28 mars, do të fiken dritat një orë

Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë këtë vit në "Orën e Tokës 2009", që do të organizohet më 28 mars, në orën 20:30.

Shqipëria do të jetë pjesëmarrëse në këtë ngjarje, si vend partner, mbi një bazë vullnetare, duke iu përgjigjur ftesës së Fondit Botëror për Natyrën (WWF), për të fikur dritat dhe aparaturat e tepërta për një orë, në datën dhe orën e caktuar. WWF ia dedikon këtë veprim Tokës, planetit që po vuan ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike.

Me këtë veprim, pjesëmarrësit dëshmojnë lidhjen e ngushtë që ekziston midis "energjisë" dhe "ndryshimeve klimatike", si dhe faktin se ne si komunitete mund dhe duhet të merremi me këtë rrezik të madh, pohojnë burime nga Qendra Rajonale e Mjedisit.

Ndërkohë, "Rrjeti Shqiptar i Orës së Tokës", i krijuar në qershor 2008, mirëpret çdokënd që do të marrë pjesë në të, për ta përfaqësuar sa më mirë ambientalizmin shqiptar. Në "Earth Hour 2009" janë ftuar të marrin pjesë qytete si Tirana, Elbasani, Vlora, Durrësi, Shkodra etj.

"Ora e Tokës" institucionalisht është organizim i WWF, që është organizata më e madhe mjedisore.

Në vitin 2007, kjo nismë ishte vetëm e qytetit Sidnei në Australi, ndërsa në 2008-ën u përshinë rreth 50 milionë banorë në 371 qytete të mëdha të botës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›