Listat, 1100 familjet e tjera që legalizohen
Qeveria miratoi dje listën re të familjeve që marrin lejet e legalizimeve nga ALUIZNI. Pas miratimit të listës së parë, ku përfitonin rreth 4200 familje në rang vendi, përfshi këtu edhe shtesat e pallateve, ALUIZNI dërgoi në qeveri lejet e tjera, të rreth 1100 ndërtimeve pa leje, të cilat u miratuan dje, duke i hapur rrugë regjistrimit në hipoteka të rreth 400 mijë m², tokë të zëna gjatë fillimviteve ‘90. Vetëm për Tiranën janë miratuar lejet e legalizimit për rreth 400 familje, të cilat janë të vendosura brenda vijës së verdhë të qytetit. Në qytetin e Durrësit do të përfitojnë legalizim rreth 350 ndërtime, kryesisht të zonës ish-Këneta, kurse në Vlorë dhe Fier do të përfitojnë rreth 150 familje. Deri tani, ALUIZNI ka përfunduar dosjet për 120 mijë ndërtime pa leje, miratimi i të cilave do të vijojë brenda qershorit 2009. Vendimi i qeverisë prek disa ndryshime në ligjin "Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje", si dhe ligjin "Për shitblerjen e trojeve" dhe jep miratimin e kalimit në pronësi të poseduesve të objekteve informale, të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore, të zëna, sipas listës dhe planvendosjeve përkatëse. Kështu, në Qarkun e Tiranës, janë miratuar 402 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 121 839,90 m2, në Qarkun e Beratit, 24 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 8 354,70 m2, të Dibrës, 69 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 30 580,00 m2, Gjirokastër, 21 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 4 425,40 m2 dhe në Qarkun e Durrësit, 340 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 132 569,26 m2. ALUIZNI dërgoi në qeveri miratimin për legalizim edhe të disa ndërtimeve në qarqet Elbasan, Vlorë dhe Fier, për rreth 250 familjeve. Do të jetë Agjencia e Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale-ALUIZNI, e cila kryen procedurat e kalimit të pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga shteti te poseduesi i ndërtimit pa leje. Vendimi hyn në fuqi pas 20 ditësh.