E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Di Kaprio" shqiptar mashtron kalimtarët

09/03/2005  Leonard Kika grabit ndihmat e jetimëve të "Zyber Hallulli"

I magjepsur nga filmi "Mashtruesi" me Leonardo Di Kaprion, një 17-vjeçar nga Tirana, me të njëjtin emër, vendos ta imitojë. Leonardo Kika korr sukses në lëmin e mashtrimit me anë të falsifikimit, duke fituar shuma të mëdha parash. Shtiret si anëtar i bordit të shtëpisë së jetimëve "Zyber Hallulli" dhe kërkon para ndihme nga kalimtarët. Mashtruesi arrestohet në flagrancë në Laprakë me 9 formularë të rremë, prodhuar nga vetë ai.

Arrestimi

"Kontribuoni dhe ju për të ndihmuar fëmijët e shtëpisë 'Zyber Hallulli'. Shteti nuk na ndihmon më me para dhe ne duhet të vetëfinancohemi. Sado para që të jepni, emri juaj do të regjistrohet në listë dhe ne jua dimë shumë për faleminderit. Unë jam njëri nga jetimët...", këto ishin fjalët me të cilat Leonardo Kika u drejtohej kalimtarëve në lagjet periferike të kryeqytetit, ku dilte për të mashtruar. Në një stendë të thjeshtë, ai ishte vendosur ditën e hënë pasdite në Laprakë, ku falë aftësisë së tij bindëse ia kishte dalë të mashtronte shumë njerëz. Në duar mbante formularët, ku donatorët shënonin të dhënat e tyre personale. Në këtë mënyrë, ai arrinte të bëhej dhe më i besueshëm, ku prezantohej si anëtar i bordit të shtëpisë së fëmijës. U desh ndërhyrja e uniformave blu që kalonin rastësisht andejpari, për të zbuluar aktivitetin e mashtruesit. Ata verifikuan dokumentacionin që posedonte djaloshi dhe lexuan frikën në sytë e tij. Kaq mjaftoi që t'i shtynin dhe më tej verifikimet, deri sa arritën tek e vërteta. Burime zyrtare nga Komisariati nr.3 shprehen se, 17-vjeçari duhet të kishte afro 1 muaj që ushtronte këtë biznes të ndyrë dhe shumat që kishte futur në xhep arrijnë në vlera të larta. Në cilësinë e provës materiale, policia kriminale e Komisariatit nr.3 bllokon 9 formularë të përpiluar të kontributeve vullnetare. Pas verifikimit të tyre rezultoi se ishin të rreme.

Dëshmia

Në shtëpinë e fëmijës "Zyber Hallulli", krerët as që kishin ideuar ndonjëherë nismë të tillë. Aq më tepër të ngarkonin fëmijë qoftë dhe të rritur, për të kërkuar ndihma rrugëve. Ishte dëshmia komike e Leonard Kikës, ajo që zbardhi të pathënat e ngjarjes. Në dëshminë e tij para oficerëve të policisë gjyqësore të Komisariatit nr.3, u shpreh se mendimi për të mashtruar i kishte lindur kur kish ndjekur në televizion filmin "Mashtruesi", me Leonardo Di Kaprion. 17-vjeçari kishte menduar se kish moshën e njëjtë me heroin e trillerit, duke e konsideruar këtë fakt si ogur të mirë. Në pamundësi për të fituar shuma marramendëse si në film, Leonard Kika kishte zgjedhur një rrugë të besueshme dhe të thjeshtë, që korrte jo pak fitime. "Vendosa të falsifikoj formularë në një internet-kafe dhe të dal në rrugë për të kërkuar ndihma për jetimët. Njerëzit preken shumë kur bëhet fjalë për shtëpitë e fëmijës dhe nuk kursehen të japin para. Parashikimet më dolën siç kisha ëndërruar. U kujdesa që veprimtaria ime të ishte në fshehtësi të plotë nga të gjithë", dëshmoi mashtruesi para bluve. Për të realizuar këtë, ai kërkonte ndihma në periferitë e Tiranës, si Sauk, Kamëz, Institut apo gjetiu. Atje nuk e njihte askush dhe kësisoj, punonte pa kokëçarjen e të ruajturës nga dekonspirimi. Do të vijonte me këtë veprimtari deri sa të grumbullonte një shumë të mjaftueshme parash, për të blerë një makinë dhe të hapte një aktivitet të vetin. Vepra penale e konsumuar nga djaloshi parashikohet nga nenet 246 dhe 143/1 të Kodit. Materialet iu kaluan Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›