E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çelet seminari për menaxhimin e kufijve

09/03/2005  Në ambientet e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit u çel dje seminari trajnues për nivelin e lartë të zyrtarëve që kanë lidhje me çështjet e kufirit. Zëdhënësja për shtyp e këtij dikasteri shprehet se, zhvillimi i takimit u bë në kuadër të programit CARDS për Projektin e Binjakëzimit. Seminari përfshin pjesëmarrjen e personave që nga rangu ministerial dhe i prefekturës, mbi konceptin e BE-së. Kursi synon familjarizimin me konceptin e Menaxhimit të Integruar të Kufijve dhe përmirësimin e bashkëpunimit midis organizatave që veprojnë në kufi. Për të përshëndetur në këtë takim ishte dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili ndër të tjera u shpreh se, Projekti i Binjakëzimit ofron kuadrin e nevojshëm për njohjen dhe zbatimin e Aki Komuniter (Acquis Communaitaire) në Menaxhimin e Integruar të Kufijve. "Pas një studimi të kujdesshëm të nevojave, ne do të përpiqemi të përmbushim standardet evropiane, nëpërmjet përafrimit të legjislacionit tonë me atë të vendeve evropiane, duke patur parasysh përmirësimin e aftësive tona drejtuese si dhe duke marrë masat përkatëse e të nevojshme për të ofruar një sistem trajnimi solid dhe të qëndrueshëm, me një ndikim të madh në forcimin e zhvillimit të mëtejshëm të fushave që kanë lidhje me Menaxhimin e Integruar të Kufijve", theksoi Bajram Ibraj në fjalën e tij. Edlira Teferiçi saktëson se, seminari i trajnimit do të zhvillohet deri në datën 11 mars 2005, në bashkëpunim me ekspertë të Bashkimit Evropian për Menaxhimin e Integruar të Kufijve, por dhe me ekspertë shqiptarë të autoriteteve doganore, si dhe homologët e tyre nga vendet evropiane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›