E Hënë, 2 Nëntor 2026

Të kërkuarit e listës amerikane që kanë qenë në Shqipëri

09/03/2005  SHBA ka nisur prej kohësh bllokimin e pasurive të Fondacionit "Al Haramain" në 5 shtete. Departamenti i Thesarit ka deklaruar se: "Bin Laden mund të ketë financuar vendosjen e Fondacionit në Shqipëri, i cili ka qenë përdorur për të mbuluar aktivitetin terrorist në Shqipëri dhe në Evropë". Sipas dokumentit të publikuar në Uashington, në fillim të vitit 2000, një ndihmës i afërt i një bashkëpunëtori të Osama bin Laden shkoi në Shqipëri dhe vuri në veprim një filial të Fondacionit "Al Haramain". "Në vitin 1998, drejtuesi i Xhihad-it Islamik Egjiptian në Shqipëri u raportua si financues zyrtar për këtë fondacion në Shqipëri. Ky individ, Ahmed Ibrahim al-Nagar, u raportua i ekstraduar nga Shqipëria në Egjipt, në vitin 1998. Në gjyqin e tij në Egjipt, Al-Nager tregoi mbështetjen e tij për Osama bin Laden dhe "Al-Kaida"-n në sulmet terroriste në 7 gusht të këtij viti kundër ambasadave amerikane në Kenia dhe Tanzani", thuhet në deklaratë. Ndërkohë vetëm pak muaj më parë, ish-shefi i CIA-s, Xhorxh Tenet, pranoi për herë të parë publikisht se agjentët sekretë amerikanë dhe shqiptarë kishin evituar një sulm terrorist ndaj ambasadës amerikane në Tiranë, shtatë vjet më parë. Më 3 tetor 1998, në Torino u arrestua Amoid Naji, një veprimtar i "Xhihad"-it. Ai pranoi se kishte qëndruar në Shqipëri për disa muaj me një plan për hedhjen në erë të ambasadës amerikane në kryeqytetin shqiptar. Ndërsa më 24 tetor të po këtij viti, gjatë aksionit për arrestimin e Selam Muhamed Omar El Said, në shtëpinë e vjehrrit të tij në periferi të Tiranës, mbeti i plagosur shefi i grupit të RENEA-s, ndërsa u vra i kërkuari.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›