E Diel, 1 Nëntor 2026

Diabeti, shkaktarët e sëmundjes që po “sundon” botën



Tre milionë persona në botë janë me diabet, ndërsa tre milionë të tjerë nuk janë në dijeni që vuajnë nga kjo sëmundje. Ky është alarmi i Agjencisë Ndërkombëtare për Parandalimin e Diabetit. Çdo dy sekonda në botë shfaqet një rast i ri me këtë sëmundje. Kjo është risia e fundit e diabetit të tipit 2 që ka “pushtuar” tokën, cilësuar ndryshe edhe si sëmundja e pleqërisë (por që në pjesën më të madhe të rasteve prek 30-vjetarët ). Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa diabeti arrin të prekë e të dëmtojë aq heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim, dhe sidomos enët e gjakut. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtrojë viktimat e tij. Kjo vjen prej mos dijes, mosnjohjes se tij. Shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me të. Të prekurit gënjehen nga forma apo paraqitja e “butë“ e diabetit. Ata kujtojnë se vetëm diabeti i “rëndë” “ai që mjekohet me insulinë” është i rrezikshëm, kurse diabeti “i lehtë” pa shenja, me glicemi jo shumë të lartë është jo i dëmshëm. Për vite me radhë diabeti rri i fshehur pa dhënë shenja e shqetësime të dukshme. Kur diabeti nuk mjekohet mirë, apo më keq akoma, kur nuk mjekohet fare, shfaq ndërlikime të tjera në shëndetin e njeriut. Diabeti i pa mjekuar, ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente të shpejta), dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme, të cilat mund të grupohen në tri kategori të ndryshme: ndërlikime që shfaqen në enët e imta të gjakut, në kapilarët e arteriet me kalibër shumë të vogël; ndërlikime aterosklerotike në enët e gjakut me kalibër të madh; infeksione e dëmtime në inde e organe të ndryshme të organizmit.
Ndërlikimet
Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla, janë më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , me te përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre. Keqësimi i mëtejshëm i gjendjes mund të pengohet vetëm me një masë të thjeshtë, ekuilibrimin e mirë e të qëndrueshëm të diabetit dhe me luftimin e disa faktorëve të tjerë rëndues, të tillë si duhani. Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak, dhe kur këto janë të menjëhershme, të sëmurët bien në gjendje kome ose në gjumë të thellë.

Kequshqyerja, shkaktar kryesor për sëmundjen
Kequshqyerja është një nga faktorët kryesorë për shfaqjen e diabetit. Por kjo nuk do të thotë se diabetikët duhet të rrinë pa ngrënë për të mbajtur nën kontroll sëmundjen. Kohët e fundit po rekomandohet një dietë e shëndetshme për këta të sëmurë, që do të thotë se ata mund të ushqehen me gjithçka, por me masë. Si mund të jetë regjimi ditor i një diabetiku? Çfarë ushqimesh mund të konsumojë? A ekzistojnë ushqime kategorikisht të ndaluara? Sa herë në ditë duhet të ha? Këto janë disa nga pyetjet që një diabetik ia bën vetes çdo ditë. Por në të vërtetë a këshillohen ëmbëlsirat dhe pijet alkoolike? Mjekët endokrinolog sqarojnë se si duhet të jetë regjimi ditur i një diabetiku. Sipas tyre, nuk ekzistojnë ushqime kategorikisht të ndaluara për diabetikët. Sipas mjekëve, dieta e shëndetshme që rekomandohet për diabetikët, ku këta të sëmurë mund të ushqehen me gjithçka, por me masë jep efekte pozitive nëse nuk abuzohet me të. Për t’u bindur për këtë, mjekët pohojnë se diabetikut i lejohet që në disa raste të hajë dhe ëmbëlsira, për shembull pasta, por me kusht që kaloritë që ka ëmbëlsira të llogariten brenda kalorazhit ditor të përcaktuar që më parë. Madje në bazë të këtyre koncepteve të reja, diabetikut i lejohet të pijë dhe pije alkoolike, por natyrisht brenda kalorazhit ditor të përcaktuar që më parë.

Simptomat

Të sëmurët me diabet kanë dhimbje barku
Frymëmarrje të ngadalta e të thella
Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë
Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën

Këshilla
Diabetikët duhet ta marrin ushqimin ditor gjashtë herë në ditë
Konkretisht në mëngjes, në orën 10:00, në drekë, në orën 16:00, në darkë dhe në orën 22:00 para gjumit
Ushqimi i marrë në orën 10:00, 16:00 dhe 22:00 si rregull është i pakët dhe quhet vakt i vogël
Buka duhet të përdoret në të tria vaktet kryesore, mëngjes, drekë dhe darkë
Ushqime të tjera rekomandohen janë si më poshtë:
Në mëngjes: djathë, qumësht, gjizë, vezë, sallame, salsiçe etj.
Në drekë: mishi dhe produktet e tij, peshku, sallame të ndryshme, gjellë me zarzavate jeshile, frutat etj.
Në darkë: djathë, gjizë, kos, qumësht, salsiçe, sallame, gjellë me zarzavate etj.

Shqipëri, rreth 1 mijë fëmijë të prekur nga diabeti

Rreth 1 mijë fëmijë rezultojnë të prekur nga sëmundja e diabetit në vendin tonë. Specialistët e Shëndetësisë raportojnë se shifrat po shkojnë drejt rritjes. Kjo shifër është cilësuar tepër e lartë për vendin tonë dhe se duhen marrë masa të menjëhershme parandaluese, qoftë nëpërmjet sensibilizimit nga ana e mjekëve, po ashtu dhe nga kujdesi i prindërve. Mjekët sqarojnë se në rritjen e diabetit te fëmijët ka ndikuar dhe obeziteti ose dhjamëzimi, ndërsa nga ana mjekësore është fenomeni i shfaqjes së diabetit tip 2 edhe te fëmijët. Mënyra e shfaqjes së diabetit është e njëjta si tek të rriturit. Specialistët kërkojnë që parandalimi i sëmundjes të bëhet edhe nëpërmjet hartimit të politikave dhe strategjive nga Ministria e Shëndetësisë. Aktualisht në vendin tonë rezultojnë se janë rreth 30 mijë persona që vuajnë nga sëmundja e diabetit, ku përfshihen të dyja tipat e kësaj sëmundjeje. Mjekët këshillojnë që personat mbi moshën 40 vjeç të kryejnë analizat e diabetit një herë në tre vjet, ose një herë në vit. Nëse sëmundja kurohet që në fazat e para, atëherë mundësitë janë më të shumta për ta parandaluar. Shkaqet e sëmundjes kanë prejardhje të ndryshme dhe ndikohen direkt nga mënyra e jetesës. Stresi apo gjendja psiko-emocionale janë një nga shkaqet kryesore që çojnë në shtimin e rasteve nga viti në vit. Elementet që ndikojnë në përhapjen e tij janë diagnostikimi jo i mirë, urbanizimi i shpejtë i popullsisë, lëvizja nga zonat rurale drejt atyre urbane, stili jo i shëndetshëm i jetës. Por dhe zgjatja e jetëgjatësisë dhe shtimi i stresit janë disa elemente që ndikojnë në shtimin e rasteve me diabet. Diabeti shfaqet në dy forma, në formën e atyre që nuk kanë insulinë, pra nuk u prodhon pankreasi insulinë, tipi 1, dhe rritja e sheqerit i çon në komplikime. Dhe diabeti tip 2, i cili shfaqet kryesisht tek të rriturit në moshat mbi 40 vjeç, që janë mbi peshë. Një person me diabet rrezikon shumë gjëra, pasi kjo sëmundje zë vendin e parë për verbimet, për azoteminë, për gangrenën, për infarkte miokardi, për dëmtime në tru etj. Sipas Specialistëve, diabeti i tipit 2 është një sëmundje e fshehtë, që fillon në mënyrë të heshtur. Diabeti tip 1 mjekohet me insulinë dhe kap moshat mbi 40 vjeç, ndërsa tip 2 nuk është i fshehtë dhe fillon me shenjat klasike, pra personi urinon shumë, pi ujë shumë, bie në peshë dhe ka dobësi të madhe. Grupmoshat që preken më shumë nga diabeti janë ato 40-65 vjeç për tipin 2 dhe grupmoshat 10 -15 vjeç për tipin 1. Nëse sëmundja nuk diagnostikohet shkakton dëmtime të parikuperueshme të enëve të gjakut, sidomos të enëve të gjakut në sy, duke çuar deri në verbëri të personit të prekur. Të tjera pasoja lidhen me dëmtimet e enëve të gjakut në pjesët e këmbëve, duke shkaktuar gangrenë të gjymtyrëve, si dhe dëmtim të enëve të gjakut në zemër e deri në tru, që çojnë deri në infarkt të zemrës.

17 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›