Tirana e Madhe, çdo vit zihen me ndërtime 200 hektarë tokë
Emanuela Sako
Më rritjen e popullsisë së Tiranës ka ardhur dhe shtimi i ndërtesave informale në Tiranë. Sipas një studimi të bërë nga Bashkia e Tiranës për rritjen e popullsisë dhe shtimin e ndërtimeve, rezultoi se rreth 200 hektarë tokë zihen për ndërtime gjatë një viti. Këto ndërtime në zona të ndryshme të Tiranës janë kryesisht ndërtime pa leje, çka ka kthyer një pjesë të periferisë së kryeqytetit në zonë informale. Zgjerimi i kryeqytetit në sajë të ndërtimeve llogaritet se kap shifra të larta të tokave të zëna dhe të shtimit pa kriter të ndërtesave që nuk kanë një projekt të caktuar si zona në qendër apo periferike të një qyteti të madh europian. Për shkak të projekteve të ndryshme për rregullimin e territorit të Tiranës, një pjesë e këtyre ndërtimeve pa leje janë prishur ose rrezikohen të prishen, për shkak të planit zbatues të projekteve të bashkisë për kryeqytetin. Ndërsa një pjesë e tyre i janë nënshtruar rregullave ligjore, duke u shpronësuar dhe mjaft të tjerë i kanë legalizuar banesat.
Çështja
Për shkak të zgjerimit të hapësirës së ndërtimeve, qytetarët nuk dinë ku të regjistrojnë familjet e tyre dhe se cilës njësi vendore i përkasin. Shtimi i ndërtimeve të reja dhe pa kriter në kryeqytet ka bërë që një pjesë e qytetarëve që janë banorë të rinj të Tiranës, nuk dinë se cilës njësi vendore i përkasin. Për këtë arsye një numër i madh qytetarësh i janë drejtuar Prefekturës së Qarkut Tiranë për zgjidhjen e çështjes. Por kjo e fundit e ka të vështirë të marrë përsipër kryerjen e evidentimeve në terren dhe zgjidhjen e problemit të qytetarëve. Për këtë arsye, Qarku i Tiranës po përballet me problemet e kufijve administrativë mes disa njësive vendore. Problemi ka qenë ekzistues prej disa vitesh dhe vazhdon të jetë ende një çështje e pazgjidhur për kryeqytetin.
Popullsia
Ritmi i shtimit të popullsisë së Tiranës është nga më të lartët në botë, me 7-8 për qind në vit. Nga e cila 2% vjen si pasojë e rritjes natyrore (raporti lindje-vdekje) dhe 5-6% nga rritja demografike (raporti ardhje dhe largime nga qyteti). Megjithatë, sipas projeksionit të popullsisë dhe planit të zhvillimit për Tiranën e Madhe, numri i banorëve në zonë pas 10 vjetësh parashikohet të jetë në mbi 1,5 milionë banorë. Në rast se shtimi i popullsisë për qytetin e Tiranës do të rritet me një mesatare me 7.5% rritje në vit, atëherë në vitet 2007–2017 popullsia e Tiranës parashikohet të shkojë deri në 1.300.342 banorë dhe në vitin 2019 do të arrijë në mbi 1.5 milionë banorë. Sipas Zyrës së Gjendjes Civile në Bashkinë e Tiranës, popullsia e qytetit deri në shkurt të vitit 2006 arrin në rreth 586,899 banorë, nga të cilët 49.8% janë meshkuj dhe 50.2% femra. Pra, ka një rritje të popullsisë me 15% krahasuar me vitin 2001; 12% krahasuar me vitin 2002; 7% krahasuar me vitin 2003 etj. Në ndryshim nga shumë rrethe të tjera të vendit, Tirana ka dëshmuar rritjen më të madhe të popullsisë gjatë viteve 1989–2001 (me një shtesë prej 41,15%).
Popullsia, pritet trefishimi i numrit të banorëve në kryeqytet
Numri i popullsisë së Tiranës pritet të trefishohet brenda këtij 10-vjeçari, duke arritur në 1,5 milionë banorë. Rezultatet kanë dalë nga një studim i Bashkisë së Tiranës për rritjen e popullsisë së kryeqytetit në dhjetëvjeçarët e fundit. Specialistët kanë vlerësuar se rritja e popullsisë së Tiranës në vit është më e madhja në botë. Zhvillimi i madh që ka marrë kryeqyteti shton problemet e strehimit dhe synon nxitjen e një zhvillimi më të madh ekonomik. Njëkohësisht në studim janë përcaktuar edhe format e kësaj rritjeje, ku gjithçka është e përcaktuar me shifra, duke filluar që nga rritja natyrore, migrimi, çështja ekonomike etj. Programi dhjetëvjeçar është hartuar nga Drejtoria e Shërbimeve Njerëzore, Sektori i Strehimit, në bashkëpunim me Cresme Ricerche, në kuadrin e projektit “I Comuni italiani per i Comuni balcanici”. Ky studim është promovuar nga ANCI (Shoqata Kombëtare e Bashkive Italiane) dhe financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Italiane.
17 Prill 2009