E Shtunë, 31 Tetor 2026

Diabetikët në rritje, 50 mijë të prekur

Mjekët: Kujdes me ushqimin! Diabeti i fshehur po prek moshat e reja dhe fëmijët obezë

Numri i personave që vuajnë nga diabeti po rritet çdo vit edhe në vendin, ndaj mjekët apelojnë për diagnostikim të shpejtë dhe kujdes me ushqimin. Statistikat flasin për rreth 50 mijë shqiptarë që kanë zbuluar se janë diabetikë, ndërkohë që numri i të prekurve mendohet se arrin në 100 mijë, pasi ka mjaft persona që nuk e dinë nëse kanë rënë “pre” e kësaj sëmundjeje. Krahasuar me shifrat para viteve ‘90 diabeti në Shqipëri është 3-fishuar, duke përmbysur edhe teoritë e vjetra për të se është “sëmundja e të pasurve”. Por veç kësaj, alarmi i mjekëve këtë vit jepet për përhapjen e diabetit tek fëmijët dhe mosha aktive 30 apo 40-vjeçare. Shefi i Endokrinologjisë në QSUT, Agron Ylli, shpjegon se në Shqipëri ka 50 mijë pacientë që trajtohen rregullisht. Por, ky numër mendohet të jetë më i lartë, pasi diabeti i fshehur po prek moshat e reja dhe fëmijët obezë. Nga depistimet që kryhen, prevalenca e diabetit të padiagnostikuar ka qenë 3-4%. Mosha më e prekur është ajo 40-65 vjeç, që përbënë 40% të popullsisë, por kambanat po bien edhe për moshën 30-40 vjeç dhe për fëmijët obezë. Edhe sipas mjekut specialist në QSUT, Flori Toti, shumë prej të prekurve nuk e dinë se vuajnë nga kjo sëmundje, pasi nuk kryejnë vizitat tek specialisti. Mjeku Toti ka theksuar se sidomos të rinjtë duhet të mbajnë larg ushqimet e pasura me yndyra e shumë kalori dhe të shmangin jetën sedentare. Dje, Në Ditën Botërore të Luftës ndaj Diabetit, specialistët i kanë bërë apel Ministrisë së Shëndetësisë të lehtësojë nga ana financiare pacientët diabetikë, duke i rimbursuar atyre fijet si në të gjithë botën. Çdo 10 sekonda në botë një person humb jetën nga diabeti ose nga sëmundje të tjera të shkaktuara prej tij. Në 10 vitet e ardhshme në shtetet me të ardhura të mesme ose të pakta ku përfshihet edhe Shqipëria, vdekjet nga diabeti do të rriten me 80%.

Berat, mbi 2 mijë persona të prekur nga diabeti

Numri i të prekurve me diabet në qytetin e Beratit po vjen duke u rritur, dhe një nga shkaqet është kequshqyerja. Ky konfirmim vjen nga mjekët specialistë. Për të identifikuar numrin real të të prekurve, në dy qendra shëndetësore janë kryer ekzaminime falas të diabetit dhe tensionit arterial për qytetarët beratas. “Qëllimi i këtyre ekzaminimeve falas është njohja me rastet e reja të mbartësve të sëmundjes së diabetit, si dhe atyre që vuajnë nga tensioni arterial”, - shprehet mjekja Alketa Papa. Mjekët specialistë pohojnë se, nga ekzaminimet e kryera rezulton se në qytetin e Beratit janë mbi 2 000 persona të regjistruar me sëmundjen e “diabetit”, por ata pohojnë se kjo shifër mund të jetë 3 herë më e lartë për shkak të trashëgimisë dhe kequshqyerjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›