Kriza, mazhoranca dhe opozita miratojnë me konsensus mbrojtjen e bankave
Deputetët e mazhorancës dhe opozitës kanë miratuar dje pasdite me konsensus të plotë ndryshimet në ligjin për bankat në Republikën e Shqipërisë. Ka qenë Ministria e Financave që ka përcjellë në qeveri ndryshimet e ligjit, i cili i paraprin një infektimi të mundshëm të sistemit bankar shqiptar nga kriza greke. Duke qenë se sistemi ynë bankar karakterizohet nga një numër relativisht i madh bankash private (16), prej të cilave 85,7 % e kapitalit të bankave në Shqipëri është kapital i huaj dhe vetëm 14,3 % është kapital vendas. Dhe nga të cilat 25% e kapitalit të huaj e zë Greqia dhe 12 % Italia, tregon fare mirë rrezikun që i kanoset sistemit bankar shqiptar nga kriza në vendet fqinje.
Për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Financave ka propozuar ndryshime në ligjin për bankat. Në kuadër të parandalimit të rrezikut sistemik, projektligji parashikon si një instrument të parandalimit të këtij rreziku dhe mundësinë e shndërrimit të degëve të bankave të huaja në filiale shqiptare, të organizuara si shoqëri tregtare dhe filiale të bankave të huaja. Kjo mënyrë e veçantë e krijimit të një banke ose filiali shqiptar nga një bankë e huaj parashikohet në projektligj si e detyrueshme për zbatim, kur gjykohet e nevojshme nga Banka e Shqipërisë për arsye të administrimit të riskut sistemik. Kjo do të thotë që bankat e huaja që operojnë në vend, si degë të bankave mëmë të funksionojnë si filiale shqiptare, pra t’i nënshtrohen ligjit shqiptar si banka të licencuara në vendin tonë dhe të vendosen nën mbikëqyrjen e plotë të Bankës së Shqipërisë në rast se kjo e fundit e gjykon të nevojshme.