E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeveria: Më 2012 nuk do të rriten taksat

SHKRUAN: Sabina Veizaj 15-11-2011 12:31

Rushaj informoi dje komisionin kuvendor të Ekonomisë, se buxheti i 2012-ës parashikon 8% më shumë të ardhura se i pritshmi i 2011-ës, që përkthehet në 329 mld lekë. Ai theksoi se nuk do të ketë asnjë politikë në 2012 për rritje taksash

Buxheti i 2012-ës pritet të ketë 8% më shumë të ardhura krahasuar me të pritshmin e këtij viti që po lëmë pas, por nuk do të ketë asnjë politikë për rritjen e taksave, si të taksës së sheshtë ashtu edhe atyre administrative. Ministria e Financave pritet të përdorë mekanizma të tjerë për ruajtjen e qëndrueshmërisë së financave publike. Zv/ministri i Financave, Alfred Rushaj theksoi dje në komisionin kuvendor të Ekonomisë dhe Financave se të ardhurat e parashikuara në këtë projekt/buxhet janë 329 miliardë lekë pa rritur taksat dhe pa përfshirë të ardhurat që do të mblidhen nga amnistia fiskale, nismë e cila, sipas Rushajt nuk është ndërmarrë për të shtuar të ardhurat në arkën e shtetit, por për të legalizuar kapitalin e qytetarëve. Megjithatë, sipas tij, deri tani janë arkëtuar nga procesi i amnistisë fiskale 700 mln lekë në arkën e buxhetit të shtetit. Rushaj theksoi se taksa e sheshtë nuk do të ndryshojë dhe do të mbetet në nivelin e 10%, pasi ajo e revolucionoi sistemin fiskal duke rritur të ardhurat nga kjo taksë duke qenë një nismë shumë e suksesshme. Ndërsa opozita qartësoi se propozimi i saj nuk është rritja e nivelit të taksave, por aplikimi i tatimit progresiv duke theksuar se e sheh gati të pamundur realizimin e të ardhurave të fryra të buxhetit 2012. “Parashikimi i parë për të ardhurat ishte 362 mld lekë. Parashikimi i fundit i zv/ministrit është 329 mld lekë, që janë 36 mld lekë më pak ose 10% më pak. Ju bllokoni implementimin e buxhetit pasi e kaloni në parlament. Pa u zbardhur boja e dekretimit të Presidentit, e ndryshoni. Ju nuk realizoni të ardhurat, nuk rimbursoni, përkeqësoni klimën ku zhvillohet ekonomia shqiptare”, - tha Malaj. Ndërsa zv/ministri Rushaj, në përgjigje për rënien e të ardhurave tatimore nga 2.6% në 2.5 % në buxhetin e rishikuar e justifikoi këtë me investimet e këtij viti që kanë bërë kompanitë që paguajnë TVSH-në. Rushaj argumentoi se ka një rritje prej 12% si 9- mujor të shitjeve të tatueshme brenda vendit, që nuk përkthehet njësoj në TVSH, por është e ndarë në zëra. Ai theksoi se në 2011-ën kompanitë e mëdha kanë bërë investime në projekte madhore me impakt social, gjë që ka ndikuar në pagueshmërinë e tyre në arkën e shtetit, por që nuk do të ndodhë në 2012-ën. Nga ana tjetër ai sqaroi se të ardhurat në dogana janë rritur në total si rrjedhojë e akcizës dhe TVSH-së. Gjithashtu, Rrushaj tha se rritja ekonomike pritet të jetë 3.9 për qind për vitin 2012, në kundërshtim me parashikimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ndërkaq opozita propozoi që buxheti i 2012-ës të synojë rritjen e performancës dhe të PBB, e jo të të ardhurave të fryra.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›