E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spitalet, më shumë lekë për barnat dhe aparaturat

SHKRUAN: Jonida Tashi 15-11-2011 12:39

Buxheti i shëndetësisë, opozita kundër planifikimit të tij. Eltar Deda: Qeveria nuk e ka prioritet shëndetësinë, por investimet në rrugë

Spitalet e vendit do të pajisen gjatë vitit të ardhshëm me aparatura të reja, që do t’u vijnë në ndihmë jo vetëm mjekëve, por edhe pacientëve. Të paktën kjo është parashikuar në buxhetin e vitit 2012 për Ministrinë e Shëndetësisë, ku pjesa më e madhe e fondeve për këtë institucion do të jetë për pajisjen e spitaleve me aparatura moderne. Ky fakt është bërë i ditur edhe nga vetë ministri i Shëndetësisë, Petrit Vasili, i cili prezantoi dje përpara anëtarëve të Komisionit të Shëndetësisë detajet e projektbuxhetit të vitit 2012 për institucionin që ai drejton. Sipas ministrit Vasili, buxheti i ri i vitit 2012 për këtë sektor do të jetë 2.1% i prodhimit të brendshëm bruto. Ministri pranoi se nevojat e spitaleve janë shumë të mëdha, por buxheti i ri 2012 është më i lartë se i këtij viti, dhe ky buxhet do të shkojë kryesisht për pajisjen e disa me aparatura moderne. Por, deputeti socialist në komision, Eltar Deda deklaroi se buxheti i ri 2012 për shëndetësinë është ulur në krahasim me vitin 2011. Sipas tij, kjo tregoi se qeveria nuk e ka prioritet shëndetësinë, por investimet në rrugë. Në komentin e tij për planifikimin e buxhetit të ri nga Ministria e Shëndetësisë, deputeti i opozitës u shpreh kundër, duke theksuar se sipas kësaj ndarjeje të buxhetit, rrezikohet shpërdorimi i fondeve. Deklaratave të deputetit socialist, ministri Vasili iu është përgjigjur menjëherë, duke theksuar se thithja e investimeve vetëm në spitalet e mëdha do të favorizonte monopolet e korrupsionin. Ndërkaq, në buxhetin e ri për shëndetësinë është parashikuar edhe rritja e shpenzimeve për Institutin e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Kështu, për vitin 2012, shpenzimet e ISKSH-së janë parashikuar të rriten në masën 1.2 miliardë lekë, duke kapur nivelin 28.9 miliardë lekë, nga 27.7 miliardë lekë në buxhetin e rishikuar 2011. Pas diskutimeve, Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë miraton në parim projektligjin “Për buxhetin e shtetit te vitit 2012”, për pjesën që i përket Ministrisë së Shëndetësisë. Komisioni për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë diskutoi e më pas miratoi sot në parim projektligjin “Për buxhetin e shtetit të vitit 2012”, për pjesën që i përket Ministrisë së Shëndetësisë. Buxheti i vitit të ardhshëm për Ministrinë e Shëndetësinë do të diskutohet nen për nen në mbledhjen e ardhshme të komisionit.

Ndarja e fondeve për shëndetësinë

Buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë, në total për vitin 2012, në krahasim me buxhetin e rishikuar 2011 është parashikuar të rritet në masën 339 milionë lekë, duke përfaqësuar 2.09 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Këto fonde do të shërbejnë kryesisht në arritjen e objektivave të mëposhtëm:

Përmirësim i ofrimit të shërbimit parësor nëpërmjet zgjerimit të skemës së medikamenteve nga 420 në vitin 2011 në 430 në vitin 2012.

Zvogëlim i vdekshmërisë amtare me 1/100000 në vitin 2012 krahasuar me 16 për 100000 në vitin 2010.

Rritja e vizitave/kontakteve të pacientit në kujdesin parësor në 8.8 vizita/ditë/mjek në vitin 2012 nga 8.6 në vitin 2011.

Mbulim 84% i nevojës për shërbim spitalor në vitin 2012, krahasuar me 82% që janë plotësuar në vitin 2011.

Plotësim 70% i nevojave të spitaleve të distriktit me pajisjet e domosdoshme për shërbimin e imazherisë në vitin 2011, referuar 65% që plotësohen aktualisht.

Sigurimi i qëndrueshmërisë së mbulesës vaksinale për vaksinat e kalendarit të vaksinimit në masën 95%.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›