E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dializa, pacientët nga jugu në Tiranë për një ilaç

Për një ilaç të vetëm, pacientët që vuajnë nga sëmundja e rëndë e veshkave, duhet të udhëtojnë drejt kryeqytetit. 

GJIROKASTER/ PIRO NASE

 Kjo u ndodh dhjetëra pacientëve që kurohen në repartin e hemodializës në spitalin rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër. Alarmi është dhënë disa herë nga vetë të sëmurët, por deri më tani ka rënë në vesh të shurdhët nga drejtuesit e dikasterit të shëndetësisë, të cilët nuk u janë përgjigjur kërkesave të bëra edhe nga personeli i spitalit të Gjirokastrës.
Vetëm për një preparat mjekësor jo mjaft të kushtueshëm që ndihmon në pastrimin e gjakut të pacientëve që vuajnë nga sëmundja e rëndë, ata duhet të udhëtojnë drejt Tiranës për ta siguruar, në vend që ta realizojë shteti. Dy pacientë të moshuar që trajtohen në të vetmin repart të dializës në jug të vendit, kanë shprehur tone kritike për gjendjen në fjalë, duke fajësuar instancat e larta shëndetësore. Beqar Selimaj, 67 vjeç nga Fieri, shprehet për gazetën “Panorama” se, kalvari i vuajtjeve të tij është i pandalshëm dhe kjo për shkak të indiferencës së treguar nga ana e shtetit shqiptar. “Unë kur erdha këtu në Gjirokastër nga Fieri për të kryer seancat mjekësore tre herë në javë, më thanë mjekët se, duhet të marr një preparat mjekësor që është i domosdoshëm”. Mungesa e këtij ilaçi në repartin e hemodializës nuk është aspak për faj të drejtuesve të spitalit të Gjirokastrës, pasi ata mjaft herë kanë apeluar për plotësimin e ilaçeve të munguara. “Për mua që jam në moshën 67-vjeçare, është një torturë e vërtetë të vij sa andej e këndej për një ilaç, ndërkohë që shteti duhet të përgjigjet për kategorinë tonë së të sëmurëve”, është shprehur fieraku. Ndërkohë, një tjetër paciente që vjen tri herë në javë nga Korça shprehet se, kjo gjendje e lodhshme për të duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë. Bukurije Mustafaj, 56 vjeçe nga Korça pohon se, mjaft herë ka shkuar në Tiranë për të gjetur ilaçin që shteti nuk e dërgon në Gjirokastër për arsye që nuk dihen. “Është një torturë e vërtetë për ne që të bëjmë xhiro në Tiranë e andej në Korçë e nga Korça në Gjirokastër, - shprehet gruaja 56-vjeçare. - Janë 12 orë rrugë të harxhuara kot për të gjetur një ilaç që autoritetet mjekësore qendrore nuk e dërgojnë në repartin e dializës në Gjirokastër. Ankesat e të 12 pacientëve që kurohen përditë në repartin e hemodializës në Gjirokastër janë përkrahur edhe nga mjeket e repartit, të cilat gëzojnë respektin e tyre për mënyrën e shërbimit që kryejnë. Reparti i dializës në Gjirokastër ndonëse ka gjithsej 7 shtretër, vetëm 5 prej tyre funksionojnë, ndërsa dy të tjerët nuk janë vënë në eficencë për shkak të mangësive teknike. Megjithatë, kjo sipas përgjegjësve të repartit në fjalë, nuk ka ndikuar mjaft në ecurinë rikoveruese të pacientëve që vuajnë nga insuficienca laboratorike humane. Para pak kohësh gjatë një vizite në Gjirokastër ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka premtuar dyfishim të kapacitetit në barna dhe staf.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›