E Diel, 1 Nëntor 2026

Propozimi i ministrit Ndoka: Ushtaraku të kthehet spital civil

“Spitali Ushtarak duhet të kalojë në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë, pasi 80% e pacientëve që mbulon janë civilë”. 

Me këtë deklaratë ministri i Shëndetësisë, Nard Ndoka, ka bërë publik projektin më të ri të dikasterit që drejton. Propozimi për këtë ndryshim, madje i është dërguar kryeministrit të vendit, Sali Berisha. “Vendimi për kalimin e Ushtarakut në vartësinë tonë do të merret nga Këshilli i Ministrave. Do ta konsideroja një vendim politik. Ne kemi çuar në tryezën e kryeministrit propozimin dhe po presim veton e tij”, tha Ndoka. Ai nënvizoi se, në rast se do të jepet “OK” Ushtaraku do të vijojë të funksionojë si qendra më e madhe e traumës në vend, ndërsa spitali “Nënë Tereza” do të përballojë emergjenca më të lehta. Përkundër kësaj ministri paralajmëroi edhe reforma, duke theksuar se deri tani është i vetmi spital në rang vendi që nuk ka pasur të tilla. “Nëse ilaçet mungojnë, apo ka probleme të tjera Spitali Ushtarak është i vështirë të monitorohet. E kundërta ndodh me QSU. Gjithashtu në të nuk ka pasur reforma në staf e drejtim”, deklaroi ministri. Argumenti më i fortë për kthimin në një sistem civil, sipas tij, është ofrimi i shërbimit për një numër shumë më të lartë pacientësh në raport me ushtarakët. “Për këtë kategori duke u bazuar edhe në eksperiencën e vendeve të tjera asistenca mjekësore ofrohet në qendra shëndetësore, apo spitale më të vogla, të cilat janë pranë garnizoneve ushtarake”, shtoi ministri. Nuk dihet nëse kryeministri Berisha do të miratojë propozimin e ministrisë. Por mbetet një fakt i pandryshueshëm se traumat në popullatë nga aksidentet, tragjeditë natyrore, plagosjet mbulohen vetëm nga Spitali Ushtarak.        z.ll

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›