E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si u gjet e vdekur në pus Mimoza Goga

TIRANE - Mimoza Goga u gjet nga fqinjët e saj ne fundin e pusit në të cilën familja e saj furnizohej me ujë. 

Ngjarja ka ndodhur më 4 maj 2007, teksa fqinjat e saj, të shqetësuara nga ulërimat e dy fëmijëve të viktimës kanë shkuar drejt pusit, që ndodhej në oborrin e familjes që banonte në fshatin Haskalije të Ndroqit. Sapo kanë konstatuar ngjarjen, bashkëshorti i viktimës i ndihmuar nga familjarë të tjerë dhe fqinjët e tyre kanë mundësuar nxjerrjen nga pusi dhe dërgimin e 28-vjeçares për në spital, por gjithçka ka rezultuar e kotë, pasi Goga ka ndërruar jetë gjatë transportimit. Pas kësaj, kufoma e saj iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore ku rezultoi se vdekja i kishte ardhur nga asfiksia e krijuar nga uji dhe rënia nga lartësia. Policia e mbërritur në vendngjarje mori në pyetje familjarët dhe të afrimit e viktimës, ndërkohë analizoi edhe dëshmitë e familjes së kunatit të viktimës, pasi mes dy familjeve kishte pasur mosmarrëveshje të vazhdueshme. Kështu, si pasojë e grindjeve, kunata më e vogël, Mimoza, është rrahur disa here nga kunata e saj më e madhe, e cila i ka shkaktuar edhe dëmtime serioze. Pas kësaj ajo ka denoncuar në polici, por ka qenë e kotë, efektivët e policisë që mbërrinin në vendngjarje, pasi merrnin deklarime largoheshin duke mos marrë asnjë masë ndaj dy familjeve të vëllezërve Goga që grindeshin në mënyrë të vazhdueshme. Gjykata argumenton rifillimin e hetimit, duke iu referuar vendimit të pushimit të çështjes, ku Prokuroria arsyeton midis të tjerash se: “Rezulton që Mimoza Goga, është vetëmbytur në pus”. Ndërkohë, organi i akuzës nuk ka administruar asnjë provë që të arrihet në këtë përfundim. Arsyetohet kështu pasi rezulton, se Mimoza Goga, ka qenë një tip i qetë, pa probleme mendore apo shëndetësore, me një familje të qëndrueshme dhe me dy fëmijë të mitur për të rritur dhe e pamotivuar për të kryer një veprim të tillë. Gjykata pohon në vendim se konstatohet se janë pyetur disa herë të njëjtët persona, të cilët kanë shprehur të njëjtat qëndrime, që vijnë ndesh midis tyre, duke sjellë dyshime dhe kontradikta që diktojnë nevojën e sheshimit midis tyre. Gjykata vlerëson se Prokuroria do të arrinte në përfundim të drejtë, vetëm duke plotësuar të gjitha detyrat e lëna nga togat e zeza si edhe duke kryer veprime të tjera hetimore.             fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›