E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja II: Si u vodhën 18 mijë metra tokë në Kashar

Gazeta publikon sot episodin e dytë të dosjes "Kashari", fashikullit hetimor që hedh dritë mbi falsifikimet, tjetërsimet, vjedhjet dhe pazaret e bëra me tokat në Komunën e Kasharit në periferi të Tiranës. 

 Pas publikimit të episodit të parë të dosjes, që lidhej me praktikën e pronësisë së shtetasit Jakup Sula, babai i ish-kreut të Komunës Alfred Sula (i arrestuar për skandalin), sot vijon publikimi i episodit të dytë të dosjes, "praktika e pronësisë së shtetasit Xhevahir Hyka, nr.akti 88, parcela nr.184 me sipërfaqe 925 metra katrorë". Episodi i dytë i dosjes hedh dritë mbi mënyrën dhe autorët e falsifikimit të dokumenteve për katër sipërfaqe toke, përkatësisht 925, 3490, 9250 dhe 5000 mijë metra katrorë. Më poshtë, publikohet i plotë, episodi i dytë i dosjes që ndodhet në fazë gjykimi prej një muaji në Gjykatën e Tiranës. 
Edhe në rastin e shtetasit Xhevahir Hyka, mënyra e konsumimit të veprës penale është e njëjtë me atë të prodhimit të praktikës në emër të shtetasit Jakup Sula. I pandehuri Xhevahir, në kohën e ndarjes së tokës, në zbatim të ligjit 7501 "Për Tokën", është pajisur në vitin 1992 me sipërfaqen që i takon sipas normës për frymë, në vitin 1992 dhe dokumentet përkatëse të saj. Kjo sipërfaqe është regjistruar sipas parashikimeve përkatëse ligjore, në formularin nr.6 të fshatit Kashar dhe zotërohet nga ky person. Pavarësisht nga ky fakt, i pandehuri Xhevahir, duke bashkëpunuar me të pandehurit Alfred Sula, Shefqet Alikaj dhe Faik Fejzo, ka prodhuar një praktikë tërësisht të re pronësie, në lidhje me sipërfaqen e mësipërme të tokës. Edhe kjo praktikë, ashtu si ajo e shtetasit Jakup Sula, nuk përputhet me asnjë të dhënë në formularin nr.6 lidhur me të pandehurin Xhevahir Hyka. Numri i aktit të marrjes së tokës në pronësi, numri i parcelës së tokës, sipërfaqja dhe kufijtë e saj, koha e lëshimit, vulat e përdorura, janë tërësisht të rreme. Për pasojë, dokumentet përbërës të praktikës së mësipërme, akti i marrjes së tokës në pronësi, plani i rilevimit, shkresat përcjellëse të komunës janë të falsifikuara edhe përsa i përket përmbajtjes së saj. Përmbajtja e këtyre dokumenteve, pasqyron faktin e rremë se Xhevahir Hyka, gjatë procesit të ndarjes së tokës, është i pajisur me sipërfaqen 952 metra katrorë, në parcelën nr.184 dhe se këto të dhëna pasqyrohen në numrin rendor "88" të formularit nr.6 të fshatit Kashar. Vepra e mësipërme penale rezulton tërësisht e provuar nga aktet e ekspertimit grafik të dokumenteve, procesverbalet e kallëzimit të krimit, deklarimet e personave që kanë dijeni për rrethanat e hetimit, atyre ndaj të cilëve zhvillohen hetimet dhe pyetjet e të pandehurve. Kështu, të pandehurit Faik Fejzo dhe Shefqet Alikaj, nuk pranojnë të kenë nënshkruar në këto dokumente, duke pretenduar se firmat e tyre janë të falsifikuara. Por nga deklarimet e shtetasit Xhevahir Hyka dhe aktet e ekspertimit të lartpërmendur, provohet plotësisht se dokumentet e mësipërme janë prodhuar në bashkëpunim nga ky person me shtetasit Alfred Sula, Shefqet Alikaj dhe Faik Fejzo. Edhe në lidhje me shtetasin Xhevahir Hyka, duhet theksuar se ky person është lidhje e ngushtë familjare e të pandehurit Alfred Sula, konkretisht është daja i tij. Kjo rrethanë e lidhur me provat tjera shkresore, transkriptimet e bisedave telefonike dhe deklarimet e personave që kanë dijeni për hetimin, personave ndaj të cilëve zhvillohen hetimet, pyetjet e të pandehurve, pasqyron anën subjektive "dashja direkte" me të cilën kanë vepruar shtetasit e lartpërmendur.
Në lidhje me shtetasin Xhevahir Hyka, duhet theksuar se nga ana e të pandehurve, veç praktikës së mësipërme të falsifikuar, janë prodhuar edhe disa praktika të tjera pronësie, në të cilat gjithashtu janë përdorur të dhëna tërësisht të rreme. Konkretisht praktikat e pronësisë janë:
1. Xhevahir Hyka, nr.akti 716, parcela nr.1168, sipërfaqe 3490 metra katrorë, të akuzuar Alfred Sula dhe Faik Fejzo
2. Xhevahir Hyka, nr.akti 105, parcelat nr. 1176 dhe 95, me sipërfaqe 9250 metra katrorë, të akuzuar Alfred Sula, Faik Fejzo, Shefqet Alikaj
3. Xhevahir Hyka, nr.akti 514, parcela nr.557, sipërfaqe 5000 mijë metra katrorë, të akuzuar Xhevahir Hyka, Bardhyl Kamberi dhe Faik Fejzo
Vlerësimi i këtyre praktikave të lidhura me njëra-tjetrën, pasqyron lehtësisht falsifikimet flagrante të kryera nga të pandehurit, në lidhje me këtë person. Pra, për të njëjtin përfitues, janë prodhuar akte të marrjes së tokës në pronësi të ndryshme, ndërkohë që për një person mund të lëshohet vetëm një akt i tillë, i cili është unik dhe i papërsëritshëm. Të dhënat e këtyre akteve, paraqesin mospërputhje të hapur jo vetëm me formularin nr.6, por edhe me sipërfaqen dhe numrin e parcelave dhe kufijtë e tokës. Pra, rezulton se të njëjtët subjekte për të njëjtin pronar, kanë prodhuar dhe nënshkruar akte pronësie krejtësisht të ndryshme nga njëri-tjetri. Veç provave të tjera, edhe i pandehuri Xhevahir Hyka, ka pranuar faktin se prodhimi i praktikave të mësipërme të pronësisë është kryer në mospërputhje me formularin nr.6. Të pandehurit Faik Fejzo dhe Shefqet Alikaj kanë mohuar të kenë nënshkruar aktet e mësipërme të pronësisë, pretendim ky që bie në kundërshtim me aktet e ekspertimit grafik të kryer".

Dhjetë të akuzuarit e dosjes
Në dosjen "Kashari" që bën fjalë për falsifikimet dhe abuzimet me trojet e tokave në komunën me të njëjtën emër, janë marrë të pandehur dhjetë persona, që po gjykohen në Gjykatën e Tiranës. Në gjendje arresti janë tre ish-krerët e komunës, Naim Karaj, Faik Fejzo dhe Alfred Sula, si dhe bashkëpunëtorët e tyre në abuzime: Xhevahir Hyka, Shefqet Alikaj, Ruhi Valisi, Ismail Sula, Ismail Bakalli, Islam Shera, Bardhyl Kamberi.

Episodi i parë i dosjes "Kashari"
Në episodin e parë të dosjes "Kashari" të publikuar nga gazeta, Prokuroria ka trajtuar rastin e praktikës së pronësisë së Jakup Sulës, i cili është babai i ish-kryetarit të Komunës Kashar, të arrestuarit Alfred Sula. Sipas hetimeve e gjithë praktika dhe aktet e pronësisë në këtë rast për parcelat 713, 25 dhe 112/1 me sipërfaqe 6300 metër katrorë kanë qenë të falsifikuara nga të pandehurit.

Afera me tokat, në pranga 3 ish-krerët e Komunës
Tre ish-krerët e Komunës së Kasharit, Naim Karaj, Faik Fejzo dhe Alfred Sula, u arrestuan më 1 dhjetor 2007 pas hetimeve intensive të Prokurorisë së Tiranës lidhur me abuzimin me pronat në Kashar. Tre ish-krerët e komunës, akuzohen për dhjetëra raste falsifikimesh dhe abuzimesh me aktet false të pronësisë, që kanë lëshuar gjatë detyrës si pushtetarë vendorë, për interesa përfitimi financiar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›