E Diel, 1 Nëntor 2026

Dialogu Kosovë-Serbi, Cooper nesër viziton Prishtinën

Duke mos arritur që nga Brukseli të caktojë një datë të re për bisedime Kosovë-Serbi, ndërmjetësuesi i BE-së, Robert Cooper do të vizitojë nesër Prishtinën, ku do të takohet me palët për t`i bindur ata që të vazhdohet sa më parë dialogu.
 

Vizita e Cooper të enjten në Kosovë, konfirmohet edhe nga kryenegociatorja në dialogun me Serbinë Edita Tahiri. “Ndërmjetësi evropian ka paralajmëruar vizitën në Kosovë më datën 26 të këtij muaji. Është një vizitë që do bëhet në të dyja shtetet, në funksion të përgatitjeve dhe të përshpejtimit të dialogut teknik, përkatësisht dialogut të ardhshëm”, ka theksuar Tahiri. Ajo shtoi se ishte mesi i muajit janar, koha kur është dashur të vazhdonin bisedimet, por për shkak të qëndrimit negativ të Serbisë lidhur me insistimin e tyre që referenca e pjesëmarrjes së Kosovës në bashkëpunimet rajonale të jetë e lidhur me Rezolutën 1244, ka shtyrë dialogun. “Ne kemi qëndrim të prerë kundër kësaj, sepse është një rezolutë e tejkaluar që i takon historisë dhe Serbia nuk ka të drejtë të kërkojë një gjë të tillë”, tha Tahiri.
 

Tahiri bëri të ditur se për të ardhur deri te një zgjidhje, BE-ja ka propozuar që Kosova të përfaqësohet në bashkëpunimet rajonale me anë të një mbishkrimi, me anë të së cilës tregohet se Kosova është shtet i pavarur i njohur nga shumica e vendeve në rajon dhe në Evropë. Sipas Tahirit, mbishkrimi do të jetë e ngjashme me modelin që ka Maqedonia sot, e cila për shkak të emrit që nuk i njihet nga Greqia përfaqësohet me këtë mbishkrim.
 

Ditë më parë, ministrat e punëve të jashtme të 27 vendeve anëtare të BE-së, gjatë takimit të tyre, kanë kërkuar sa më shpejt vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd dhe arritjen e një marrëveshjeje për përfaqësimin e Kosovës në forumet rajonale. Është pikërisht kjo marrëveshje, prej së cilës edhe varet raundi i ri i bisedimeve, për shkak se të dy palët vazhdojnë të mos bien dakort me njëra-tjetrën kur bëhet fjalë për përfaqësimin rajonal të Kosovës. Serbia vazhdon të insistojë që Kosova në përfaqësimet rajonale të paraqitet vetëm nën Rezolutën 1244, ndërsa Prishtina e kundërshton një gjë të tillë. Ndërkohë ditën e sotme ndërmjetësuesi i BE-së në bisedimet Kosovë-Serbi Robert Cooper po zhvillon vizitë në Beograd ndërsa nesër do të vizitojë edhe Prishtinën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›